E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Prokurorisë, Alibeaj s’tërhiqet nga imuniteti, diskutimet pa rezultate

 

TIRANE - Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për ndryshimet në ligjin për organin e akuzës. Kreu i dikasterit të Drejtësisë duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga realizimi i qëllimeve të tij në projektligj, pavarësisht reagimeve të ashpra të prokurorëve dhe ndërkombëtarëve. Takimi i përfaqësuesve të dy institucioneve është mbyllur edhe ditën e djeshme pa kompromis, ndërsa është vendosur të mbahet ditën e hënë edhe një tjetër diskutim, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje. Të dy institucionet duket se ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta për një sërë çështjes që preken në draftin që Ministria e Drejtësisë ka hartuar për ndryshimet në ligjin e Prokurorisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë vazhdojnë këmbënguljen e tyre, që heqja e imunitetit të prokurorëve të mbetet në përmbajtjen e draftit. Po ashtu, ministri i Drejtësisë vazhdon të këmbëngulë që t'i jepet e drejta me ligj për raportim në Parlament çdo 6 muaj për inspektimet e bëra në prokuroritë e gjithë vendit, duke i lënë në këtë rast të drejtën e debatit Prokurorit të Përgjithshëm. Një tjetër pikë në të cilën këmbëngul Ministria e Drejtësisë, është përcaktimi në ligj se prokurorët e shkarkuar mund të marrin pagën për një vit në rast se u jep të drejtë gjykata, porse ata nuk mund të kthehen në vendin e tyre të mëparshëm dhe nuk mund të kandidojnë për t'u punësuar sërish në organin e akuzës. Sipas burimeve zyrtare nga takimi, në këto tri pika, mësohet se përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë të vendosur për të mos toleruar, për shkak se qëndrim të njëjtë kanë mbajtur edhe zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë. Në këto kushte, të dy palët për shkak se nuk kanë gjetur kompromis kanë vendosur të lënë edhe një seancë diskutimesh për të hënën e javës së ardhshme. Kreu i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, i pyetur dje nga gazeta rreth kërkesës së këtij organizmi për të marrë pjesë në diskutime, tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka ftuar përfaqësues të prokurorëve me përjashtim të dy zyrtarëve që përfaqësojnë Prokurorinë e Përgjithshme.                      tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›