E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Vendimi për pezullimin e gjyqtares, në unanimitet

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka votuar në unanimitet për pezullimin e gjyqtares Marsela Balili, me gjithë kundërshtitë e kësaj të fundit me një letër të hapur për Presidentin e Republikës. Sipas njoftimit të KLD-së, votimi është bërë në respektim maksimal të ligjit organik për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Më tej thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi që autorizon procedimin penal ndaj një gjyqtari mbi kërkesën e prokurorisë, dhe vendimmarrja realizohet nga ky këshill pa një procedurë paraprake të dëgjimit të gjyqtarit. Sipas tyre, gjyqtarja Marsela Balili është njoftuar për t‘u paraqitur në këshill në orën 11:00 të datës 02.12.2009, përpara shqyrtimit të kërkesës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ndaj këtij komunikimi, gjyqtarja Balili është përgjigjur shprehimisht se "në këtë orë dhe datë kam gjyq". "Në kushtet e dhënies së autorizimit për procedim penal, pezullimi nga detyra i gjyqtares është pasojë direkte e ligjit dhe i është komunikuar menjëherë kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për krime të rënda me shkresën nr.2420 të datës 02.12.2009, me qëllim ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga gjyqtarja. Me qëllimin e vetëm për të mos shkaktuar asnjë shtyrje apo vonesë në kohë të proceseve gjyqësore, ku gjyqtarja Balili ka qenë në trup gjykues, KLD, menjëherë pas pezullimit të saj nga detyra, ka marrë masa për të deleguar gjyqtarë në dy çështje gjyqësore", thuhet në njoftim. Më tej shtohet se ky vendim i marrë me unanimitet ka të bëjë me aktet e një materiali procedimor të lidhur me emrin e gjyqtares Marsela Balili. "Politika e proceseve vendimmarrëse duhet të mundësojë parimin kushtetues se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit", përfundon reagimi i KLD-së.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›