E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicër, anulohet në minutat e fundit marrëveshja Turqi-Armeni

Armenia dhe Turqia kanë vendosur më në fund marrëdhëniet diplomatike përmes një marrëveshjeje të nënshkruar nga të dyja palët në Zvicër. Marrëveshja, që do të asistohej nga ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Francës dhe Bashkimit Europian, për momentin është shtyrë në minutën e fundit, për shkak të një çështjeje ende të pashpjegueshme. Megjithatë, marrëveshja (në rast se do të realizohet) jep shpresë për rihapjen e kufijve mes të dyja vendeve dhe dhënien fund të një shekulli armiqësie e, mbi të gjitha, një të shkuare tragjike e të përgjakshme. Ndërkaq, nacionalistët në të dy krahët po përpiqen që të pengojnë zbatimin e marrëveshjes së mundshme. "Kemi një interes shumë të madh në promovimin e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të botës", deklaroi sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton. Sipas një burimi, ka qenë Presidenti amerikan Obama që ka folur me homologun armen për ta ndihmuar dhe inkurajuar në ndërmarrjen e këtij hapi shumë të rëndësishëm. Për Obamën, është prioritet përmirësimi i marrëdhënieve mes Turqisë, që është një fuqi e madhe rajonale dhe Armenisë, një vendi të vogël shumë të varfër. Një marrëdhënie pozitive mes këtyre dy vendeve deri më sot armike do të qetësonte dhe paqtonte shumë situatën edhe në të gjithë rajonin e Kaukazit, si dhe do të shtonte lehtësirat e furnizimit me energji të Perëndimit, duke qenë se andej kalojnë rrugët e furnizimit me energji. Edhe Solana e falënderoi Turqinë për hapin e ndërmarrë, duke qenë se Turqia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri turk, Erdogan, tha se vendi i tij po ndërmerrte këtë hap të "vullnetit të mirë" për të rivendosur lidhjet me Armeninë, por se do të ishte shumë mirë sikur të shihte tërheqjen e trupave armene nga rajoni i Nagorno-Karabahut. Ai tha më pas se vendi i tij po përpiqej që të nxiste marrëdhëniet me Armeninë, në mënyrë që kjo gjë të mos shkaktonte kundërpërgjigje nga ana e Azerbajxhanit. Zvicra, që ka negociuar për 6 javë rresht bisedimet mes Turqisë dhe Armenisë, ishte vendi që priti edhe liderët e të dyja vendeve që të firmosnin marrëveshjen. Në marrëveshje, vetëm sa përmendet shkarazi një nga pikat më të errëta dhe më të dhimbshme të historisë armene, ajo e gjenocidit armen, kur në periudhën e fundit të ekzistencës së Perandorisë Osmane, turqit masakruan mbi 1.5 milionë armenë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›