E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike botërore shpëton Bankën Europiane

Vetëm një vit më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ngjante me një relike të epokës së pas Luftës së Ftohtë. Një prej vendeve që e kishte mbështetur themelimin e saj me fonde, Australia, kërkoi që t‘i ktheheshin paratë, ndërsa një nga anëtarët e rinj të Bashkimit Europian, Çekia, u bë vendi i parë që e mbylli programin kredimarrës me BERZH-in.

Por banka që ndihmoi vendet ish-satelite të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore të ktheheshin nga ekonomi të centralizuara në ekonomi të tregut të lirë, duket se gjeti një front të ri pune në stabilizimin e këtyre ekonomive dhe në mbrojtjen e progresit të arritur me vështirësi në dy dekadat e fundit. Rajoni mbetet jo stabël pavarësisht shenjave të rigjallërimit që po duken kudo gjetkë. Javën e kaluar, një ankand për shitjen e bonove të thesarit të Letonisë dështoi. Askush nuk shkoi ta blinte borxhin e këtij vendi. Ngjarja ka gjasa të sjellë si pasojë zhvlerësimin e monedhës së këtij vendi.

Ky është vetëm një nga shqetësimet në Europën Lindore. Rritja e shpejtë ekonomike e viteve të fundit rezultoi e paqëndrueshme dhe e bazuar tepër në flukset kapitale të sjella nga vendet e tjera. Këto burime tashmë kanë shteruar.

Për pasojë, viti 2009 ka qenë më i ngarkuari me punë në të gjithë historinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Tani banka synon të rrisë aftësinë e vet financuese për të luftuar pasojat e krizës botërore në këtë rajon, krizë që ishte dërrmuese për shkak të borxheve të emetuara në monedha të tjera përveç atyre kombëtare, të tilla si euro, franga zvicerane dhe korona suedeze. Lajmi i dështimit të ankandit në Letoni nuk shqetësoi vetëm këtë vend. Lajmi solli edhe rënien e vlerës së koronës suedeze.

Banka injektoi para nëpër institucionet financiare të rajonit. Në maj deklaroi se do të jepte 578 milionë dollarë për degët e bankës italiane "UniCredit" në rajon. Në një letër për vendet anëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, presidenti Thomas Mirow kërkoi 14.6 miliardë dollarë shtesë në mënyrë që të plotësonte paratë e tërhequra në rajon nga investitorët privatë. Banka parashikon se ekonomitë e ish-Paktit të Varshavës do të zvogëlohen me 6 për qind në vitin 2009.

Frika është se në ish-vendet komuniste, problemet ekonomike do të pasohen nga destabilitet politik e shoqëror. "Kthimi prapa gjatë tranzicionit ka qenë një fenomen i rrallë, por pavarësisht kësaj, besimi te reforma e tregut të lirë do të vihet në diskutim kësaj here", thotë Mirow.

Për më tepër, qeveritë janë rrëzuar këtë vit në Hungari, Letoni e në Rumani. Megjithëse rënia e qeverisë në Rumani javën e kaluar qe më shumë çështje politike se sa ekonomike, ky vend është goditur aq rëndë nga kriza sa u detyrua të pranojë shpëtimin nga FMN. Ekspertët thonë se sasia e kredive të këqija në rajon duket se do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2010, gjë që tregon se rreziqet për rënie më të thellë ekonomike nga ajo që është parë deri tani, janë të shumta.

Deri tani Polonia ka qenë një përjashtim, pasi ia ka dalë të shmangë recesionin dhe qeveria pret rritje prej 1 përqindësh këtë vit. Por në Hungari FMN parashikon rënien ekonomike prej 6.7 përqindësh. Ekonomia e Letonisë mund ta mbyllë vitin me rënie ekonomike prej 18 përqindësh, ndërkohë që Ukraina ka gjasa të zhytet 14 për qind më poshtë se një vit më parë.

Zyrtarët e BERZH shpresojnë se para 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, vende si Shtetet e Bashkuara, Franca e Gjermania do të tregohen të gatshëm të ndihmojnë demokracitë e reja të Europës.

Themeluar në vitin 1991, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka një mision të qartë që nga ditët e para. Ekonomitë e përtej Perdes së Hekurt duhej të ndihmoheshin në procesin e tranzicionit drejt ekonomive të tregut të hapur.

Josué Tanaka, sot drejtor korporate, ishte një prej grupit të parë të të punësuarve në këtë bankë në zyrat e saj qendrore në Londër. "Në atë kohë ne hapëm një hartë dhe pyetëm se çfarë duhej të bënim më parë", rikujton sot Tanaka.

Olivier Descamps, i cili u bashkua me bankën më 1993 dhe tashmë punon si drejtor i grupit të biznesit në Europën Juglindore, rikujton: "Askush nuk kishte dëshirë në atë kohë të merrte përsipër rrezikun. Të gjitha bankat qenë të tmerruara nga ideja për të punuar në një territor të tillë".

Por gjatë viteve të fundit, rajoni u bë një vend shumë popullor për të investuar. Gjatë viteve të shkuara, disa prej klientëve të bankës po rrisnin ekonominë e vet me 7 për qind në vit, aq sa disa vende menduan të dalin prej saj pasi qenë të afta të thithin investime private. Australia deklaroi se kishte ndër mend të tërhiqte investimet e veta në BERZH dhe t‘i përdorte këto para për të zhvilluar fqinjët e vet të Azisë Juglindore. Situata është krejt ndryshe dhe BERZH e ndjen veten të domosdoshme në kohën e krizës që po jetojmë.

Marrë nga New York Times

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›