E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia ratifikon traktatin, por Çekia vazhdon të jetë larg një hapi të tillë

Presidenti polak, Lech Kaczynsky, ka nënshkruar më në fund dje pasdite, në një ceremoni të posaçme Traktatin e Lisbonës. Ai dhe homologu i tij çek ishin të vetmit që nuk e kishin vënë firmën në marrëveshjen që është miratuar fillimisht nga Parlamentet e të dy vendeve. Ndërkohë që në Varshavë është zhvilluar ceremonia, Presidenti çek, Klaus, një euroskeptik i njohur, ka nxjerrë pengesa të reja për nënshkrimin e marrëveshjes. Në fakt, ceremonia e nënshkrimit nisi disi në mënyrë komike. Pas 557 ditësh nga miratimi i marrëveshjes nga Parlamenti vendas, Presidenti ka marrë një stilolaps për të vënë më në fund firmën e tij, por stilolapsi nuk ka shkruar. Pas shumë tentativash, Presidenti i ka kërkuar asistentes së tij një tjetër stilolaps, me të cilin hodhi firmën e shumëpritur nga Brukseli. Presidenti e ka mbështetur me shumë këmbëngulje anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Europian, por ka deklaruar vazhdimisht se integrimi nuk duhet që të shkojë shumë larg dhe ka deklaruar se marrëveshja e vendit të tij me BE-në bazohet në besimin se kjo organizatë do të marrë në gjirin e saj edhe vende të tjera ish-komuniste. "Pa komplekse, apo frikëra ne kemi qenë gjithmonë pro integrimit të mëtejshëm të vendeve të tjera në BE", ka deklaruar Presidenti polak. Ai shtoi se ky bashkim është një tërësi shtetesh sovrane dhe do të mbetet i tillë, por bashkëpunimi duhet të rritet dhe të bëhet më i ngushtë.
"Bashkimi si një eksperiment i suksesshëm nuk mund t‘u mbyllet vendeve të tjera që do të duan t‘i bashkohen organizatës. Nuk e kam fjalën vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe të tjera vende në të ardhmen. BE nuk mund t‘u thotë ‘jo‘ atyre", ka shtuar Presidenti pas firmosjes. Firma është hedhur në prani të shefit të Komisionit Europian, Barroso, Kryeministrit suedez, vendi i të cilit është udhëheqësi i BE-së në këtë 6-mujor, si dhe armikut politik të Presidentit, Kryeministrit Donald Tusk.
Po të shtunën doli edhe një tjetër lajm, sipas të cilit 60 parlamentarë polakë kanë nënshkruar një peticion për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, për të parë nëse ligjet e saj përputhen me ligjet e Kushtetutës së vendit. Ky hap, nëse do të vazhdojë, mund ta detyrojë Kryeministrin e vendit që t‘u japë parlamentarëve më shumë pushtet. Gjithsesi tani problemi i vërtetë i traktatit mbetet Çekia dhe Presidenti i saj euroskeptik, Vaslav Klaus, i cili, në një deklaratë të fundit, bëri të ditur se Praga do të bëjë disa korrigjime të Traktatit, të ngjashme me ato që iu bënë projektkushtetutës në vitin 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›