E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuta, boshllëk ligjor për heqjen e mandateve të deputetëve



Shaban Sulçe

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë rezulton me boshllëk ligjor përsa i përket pjesës që ka të bëjë me heqjen e mandatit të deputetit në rast se ai nuk bën betimin. Ndonëse në Kushtetutë parashikohet sanksioni në fjalë, në këtë nen mungon përcaktimi i afatit kohor, brenda të cilit deputetët duhet të bëjnë betimin në Kuvendin e Shqipërisë. Ndonëse u fol fillimisht se zgjatja e bojkotit të Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste do të sillte djegien e mandateve të deputetëve të saj, mësohet se një rrezik i tillë praktikisht nuk ekziston. Socialistët e kanë shfrytëzuar më së miri këtë boshllëk kushtetues për të vijuar gjatë bojkotin dhe për të rezistuar deri në plotësimin e kërkesave të tyre, që kanë të bëjnë me hetimin parlamentar dhe hapjen e kutive të votimit.

Bojkoti

Partia Socialiste, prej afro dy muajsh vijon të bojkotojë punimet e Kuvendit, duke vendosur si kusht për ndërprerjen e tij, hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Bojkoti socialist ka nisur që nga koha e konstituimit të Kuvendit, gjë që ka bërë që deputetët e PS-së të mos kenë mundësi që të bëjnë betimin dhe të quhen zyrtarisht deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Bojkoti socialist, paralelisht me kushtet e vendosura, mund të rezistojnë pafundësisht për sa kohë që asnjë prej deputetëve të Partisë Socialiste nuk rrezikon heqjen e mandatit për shkak se nuk ka bërë betimin. Kjo pasi në Kushtetutë, dhe konkretisht në Nenin 71 të saj, si dhe në Nenin 4 të Rregullores së Kuvendit, nuk është përcaktuar afati kohor se kur deputetët duhet të bëjnë betimin në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë drejtim socialistët kanë luksin që të ushtrojnë presion te maxhoranca për një kohë të gjatë për plotësimin e kushteve të vendosura prej tyre. Duke mos kryer betimin, socialistët nuk preken as nga pika që flet për ndërprerje të mandatit kur deputeti mungon 6 muaj pa arsye në Kuvend.

Debati
Në Partinë Socialiste prej kohësh ka lindur debati në lidhje me qëndrimin e saj për të bojkotuar Kuvendin, si kusht për hetimin e zgjedhjeve parlamentare dhe hapjen e kutive të votimit. Pesë deputetë socialistë, të cilët tashmë kanë krijuar Lëvizjen për Mendim ndryshe në PS, kanë deklaruar vazhdimisht se Partia Socialiste duhet të ndërpresë bojkotin dhe duhet të marrë pjesë në Kuvend. Megjithatë, deputetët Blushi, Malaj, Harasani, Bello dhe Islami janë përballuar me shumicën e Grupit Parlamentar të PS-së dhe të Asamblesë Kombëtare, që kanë miratuar propozimin e ardhur nga Kryesia për bojkotin e Kuvendit. Gjithsesi, deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe kanë lënë të kuptohet se nuk do të vonojë nga ana e tyre marrja e një vendimi për të hyrë në Kuvend. Por, në rast se ata do ta bëjnë një gjë të tillë, do të ndëshkohen me përjashtimin nga radhët e Partisë Socialiste. Gjithsesi, deputeti Blushi ka deklaruar se Partisë Socialiste do t’i soset durimi dhe shumë shpejt do të hyjë në Kuvend.

Idrizi braktis PS-në, por vijon bojkotin

Deputeti Shpëtim Idrizi, ndonëse ka braktisur Partinë Socialiste, vijon të bojkotojë punimet e Kuvendit. Ish-deputeti socialist, i cili tashmë është kryetar i partisë më të re politike, Partia për Drejtësi dhe Unitet, ende nuk ka bërë betimin e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu, Idrizi ende nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të Kuvendit, ashtu edhe si 63 kolegët e tij të Partisë Socialiste. Idrizi, së bashku me deputetin Dashamir Tahiri, shpallën krijimin e PDU-së disa javë më parë. Ky vendim i Idrizit solli edhe përjashtimin e tij automatik nga radhët e Partisë Socialiste.

Neni 71 i Kushtetutës së Shqipërisë
- Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
- Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
- kur ai nuk bën betimin;
- kur heq dorë nga mandati;
- kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3;
- kur mbaron mandati i Kuvendit;
- kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
- kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Sanksionet që merren në rast se socialistët nuk do të futen në Parlament dhe nuk bëjnë betimin
- Nuk kanë të drejtën e ushtrimit të mandatit pa bërë betimin në Kuvendin e Shqipërisë (nuk quhen deputetë).
- Nuk kanë të drejtë të marrin rrogën.
- Nuk u paguhet fatura telefonike.
- Nuk kanë të drejtë të përdorin makinat e Kuvendit, si dhe nuk u paguhet fatura për makinat personale.

22 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›