Fratini: “KE-ja do të liberalizojë vizat për shqiptarët në mes të vitit 2010”
Eljona Ballhysa
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka marrë dje mbështetjen e shtetit italian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Këtë mbështetje e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur dje pas takimit me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili ndodhet në Romë për një vizitë zyrtare pune. Gjatë këtij takimi Fratini është shprehur se Komisioni Europian do të marrë një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për shqiptarët brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm. Ministri i Jashtëm italian gjithashtu ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Komisionit Europian më datë 26 tetor që të nisë shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Nisja e shqyrtimit u hap rrugën zhvillimeve pozitive në drejtim të proceseve integruese.
Takimi
“Italia është avokatja kryesore e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë europian”, - është shprehur ministri Fratini gjatë takimit me ministrin Meta, duke shtuar se “Shqipëria ka arritje të dukshme në të gjitha fushat, veçanërisht në ato të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrollit të kufijve, forcimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut”. Ministri Fratini garantoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Meta, se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni Europian do të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe se Italia do të jetë një mbështetëse e fortë dhe strategjike e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit europian. Përsa i përket statusit të vendit kandidat, Fratini bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Jashtëm të BE-së do të diskutohet kërkesa e Shqipërisë. “Përsa i përket kësaj çështjeje, theksova sërish se në mbledhjen e ardhshme të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg, më 26 tetor, do të trajtoj sërish çështjen për paraqitjen e shpejtë të kërkesës së Shqipërisë në Komisionin Europian për nisjen e procedurave përkatëse”, - deklaroi Fratini. Shefi i Diplomacisë italiane shpjegoi se kjo procedurë mund t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. “E di mirë se ka një lloj ngurrimi nga një numër shumë i vogël vendesh anëtare, por shpresoj shumë që opinioni im të mbështetet nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian”, - deklaroi ministri i Jashtëm italian.
Bashkëpunimi
Nga e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Meta, garantoi se qeveria shqiptare do të përmbushë në kohë të gjitha standardet që kërkon ky proces. Në këtë kuadër u vlerësua vizita e ardhshme e ministrit të Brendshëm italian në Tiranë gjatë muajit nëntor. Gjatë këtij takimi u ra dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të ngrihen në një nivel edhe më të lartë, në të gjitha fushat me interes reciprok, duke pasur si synim nënshkrimin së afërmi të dokumentit dypalësh për partneritet strategjik, i cili do të shoqërohet me samite periodike të nivelit më të lartë midis dy qeverive. Meta dhe Fratini ranë gjithashtu dakord që mes dy vendeve duhet forcuar edhe bashkëpunimi në nivel rajonal, sikurse do të jetë Nisma Adriatiko-Joniane apo e Europës Qendrore. Gjatë pranverës së ardhshme do të zhvillohet një ministerial i gjerë rajonal. Gjithashtu, Meta dhe Fratini ndanë mendime të njëjta përsa u takon zhvillimeve në rajon dhe perspektivës së tij europiane, ku u vlerësua roli i Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti. Ata gjithashtu vlerësuan kontributin dhe bashkëpunimin që trupat italiane dhe shqiptare, të dislokuara në Afganistan, kanë mes tyre, duke evidentuar faktin se sot Shqipëria është një ndër vendet që eksporton siguri dhe kontribuon në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë. Gjatë bisedimeve u diskutua edhe për integrimin e mëtejshëm të komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane, i cili tashmë ka kaluar nga faza e emergjencës së një emigracioni klandestin drejt një integrimi dhe kontributi gjithnjë e më të plotë në shoqërinë italiane.
22 Tetor 2009