Kushtetuesja përcakton numrin e deputetëve kur Kuvendi mund të marrë një vendim
Laureta Rryçi
Gjykata Kushtetuese doli dje me një vendim të veçantë duke interpretuar një nga nenet e Kushtetutës. Vendimi u mor pas kërkesës së 30 deputetëve të Partisë Socialiste në lidhje me një nga vendimet e Kuvendit për votimin e dekreteve të presidentit. Sipas Gjykatës Kushtetuese, numri i deputetëve të pranishëm për çeljen e seancës së votimit parlamentar është minimalisht 71 deputetë. Ndërsa vendimi i Kuvendit miratohet kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm. Me gjithë interpretimin, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën për të shfuqizuar vendimin e Kuvendit për rrëzimin e dekretit të presidentit Topi mbi kandidaturën e Zamir Podës për në Gjykatën e Lartë.
Iniciativa
Një grup prej 30 deputetësh, disa muaj më parë, morën iniciativën t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë vendim të Kuvendit. Nëpërmjet padisë ligjore deputetët i kërkuan Kushtetueses që të interpretojë Neni 78, pika 1 të Kushtetutës për shumicën e kërkuar për marrjen e vendimeve nga Kuvendi i Shqipërisë, përfshirë dhe dhënien ose jo të pëlqimit për dekretet e presidentit, si dhe interpretimin e Nenit 55, pika 1 të Rregullores së Kuvendit. Sipas padisë së depozituar në Gjykatë, interpretimi i dispozitës kushtetuese është i nevojshëm për faktin se Rregullorja e Kuvendit, në Nenin 55 nuk ka përcaktuar si llogaritet “shumica e votave” në rastin kur votohet sipas Nenit 78, pika 1 të Kushtetutës dhe se Kuvendi, gjatë vendimmarrjes së tij, rast pas rasti, ka bërë interpretime të ndryshme të kësaj dispozite të Kushtetutës. Deputetët pretenduan se publikimi i vendimit, duke shtrembëruar vullnetin e Kuvendit për dekretin e presidentit, ka krijuar konflikt kompetencash midis Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetares së tij. Deputetët e Kuvendit nuk mund të pengohen të kundërshtojnë shtrembërimet që i bëhen vullnetit të Kuvendit si përfaqësues i pushtetit legjislativ në shprehjen dhe publikimin e këtij vullneti. Padisë së deputetëve iu bashkëngjit edhe i interesuari Zamir Poda, ndërsa palët e tjera ishin përfaqësuesit e Kuvendit dhe përfaqësues të Presidentit të Republikës.
Pretendimet
Lidhur me interpretimin e pikës 1 të Nenit 78 të Kushtetutës.
Sipas padisë së deputetëve, Kuvendi, gjatë vendimmarrjes së tij rast pas rasti, ka interpretuar në mënyra të ndryshme kuptimin dhe përmbajtjen e Nenit 78, pika 1 të Kushtetutës. Po sipas kërkuesit, togfjalëshi “shumicë votash” ka kuptimin se shumica e votave nuk duhet të llogaritet as “mbi të gjithë anëtarët” dhe as “mbi të gjithë pjesëmarrësit” në votim, por mbi votat e vlefshme.
Të njëjtin mendim ka pasur dhe i interesuar Zamir Poda. Ndërsa përfaqësuesi i Kuvendit ka pretenduar se Neni 78, pika 1 e Kushtetutës kërkon që ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat të miratohen kur votojnë “pro” shumica e deputetëve të pranishëm dhe në asnjë rast kjo shumicë nuk llogaritet mbi votat e vlefshme. Ndërsa në vendimin e zbardhur dje, Gjykata rithekson se çdo dispozitë e Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese. Kjo për arsye se çdo dispozitë kushtetuese ka një lidhje të caktuar me dispozitat e tjera dhe së bashku ato formojnë një tërësi normash të harmonizuara. Nëpërmjet interpretimit që u bën dispozitave apo termave konkretë të Kushtetutës, Gjykata synon të përcaktojë detyrimet dhe kërkesat që Kushtetuta ia imponon Kuvendit në ushtrimin e veprimtarisë së tij vendimmarrëse. Gjykata vlerëson të shprehet fillimisht për lidhjen që ekziston midis Nenit 78, pika 1 të Kushtetutës dhe parimeve të sanksionuara nga nenet 1, 2 dhe 4 të Kushtetutës. Kjo për arsye se norma kushtetuese që përcakton rregulla për vendimmarrjen e Kuvendit nuk mund të interpretohet si një normë e izoluar, por duhet parë në harmoni me normat që sanksionojnë parimin e sovranitetit të popullit dhe shtetit të së drejtës. Gjykata vlerëson se, në kuptim të Nenit 78, pika 1 të Kushtetutës, shumica e votave të kërkuara për marrjen e vendimeve nga Kuvendi është të paktën gjysma plus një e të gjithë anëtarëve të pranishëm. Në përfundim, Gjykata ka arritur në konkluzionin se pika 1 e Nenit 78 të Kushtetutës, në të cilin përcaktohet se: “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij” duhet interpretuar si vijon: Numri i deputetëve të pranishëm për çeljen e seancës së votimit parlamentar është minimalisht 71 deputetë, ndërsa vendimi i Kuvendit miratohet kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm.
Votimi
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Dekretin Nr. 5720, datë 12.05.2008, emëroi Zamir Podën si anëtar të Gjykatës së Lartë. Dekreti iu dërgua Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e pëlqimit, në mbështetje të Nenit 136, pika 1 të Kushtetutës. Kuvendi zhvilloi procesin e votimit më datë 16.06.2008 sipas Nenit 60, pika 1 dhe 3 të Rregullores së Kuvendit. Procesi i votimit u drejtua nga Sekretariati i Kuvendit për Procedurat dhe Votimet, i përbërë nga 3 deputetë, njëri prej të cilëve kryetar dhe dy të tjerët anëtarë. Në përfundim të procesit të votimit, pasi u numëruan fletët e votimit, rezultoi se pro kandidaturës së Zamir Podës ishin shprehur 65 deputetë, kundër 62 deputetë, 1 kishte abstenuar dhe 2 fletë votimi ishin të pavlefshme. Në përfundim të kësaj procedure, kryetari i Sekretariatit deklaroi se, në përputhje me kërkesat e pikës 1 të Nenit 55 të Rregullores, shumica e deputetëve kishin votuar pro kandidaturës së Zamir Podës për anëtar të Gjykatës së Lartë dhe, për rrjedhojë, Kuvendi jepte pëlqimin që Poda të ishte anëtar i Gjykatës së Lartë. Pas përfundimit të seancës, kryetari i Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet deklaroi se “kandidatura e Podës ishte rrëzuar pasi kishte marrë 65 vota pro, ndërkohë që duhej të kishte marrë 66 vota pro, pra një votë më shumë se gjysma e deputetëve që ishin të pranishëm në seancën e votimit”.
Çfarë kërkohej
OBJEKTI: 1. Interpretimi i pikës 1 të Nenit 78 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
2. Shfuqizimi si antikushtetues i Vendimit të publikuar të Kuvendit të Shqipërisë Nr. 190, datë 16.06.2008 “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e z. Zamir Poda si anëtar i Gjykatës së Lartë”.
3. Pezullimi i ekzekutimit të Vendimit të Kuvendit të Shqipërisë Nr. 190, datë 16.06.2008 “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e z. Zamir Poda si anëtar i Gjykatës së Lartë” deri në dhënien e vendimit përfundimtar.
Vendimi
Lidhur me kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të Vendimit Nr. 190, datë 16.06.2008 të Kuvendit deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Kërkesa e paraqitur nga kërkuesi nuk përmban asnjë argument në lidhje me pasojat që mund të sjellë vendimi i Kuvendit, konkretisht cenimin e interesave shtetërorë, shoqërorë ose të individëve, kritere këto të përcaktuara në Nenin 45 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Në këto kushte, Gjykata vlerëson se kërkesa për pezullim të ekzekutimit të zbatimit të Vendimit Nr.190, datë 16.06.2008 të Kuvendit duhet rrëzuar si e pabazuar.
Interpretimin e pikës 1 të Nenit 78 të Kushtetutës si vijon:
1. Numri i deputetëve të pranishëm për çeljen e seancës së votimit parlamentar është minimalisht 71 deputetë.
2. Vendimi i Kuvendit miratohet kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm.
3. Rrëzimin e kërkesës për çështjet e tjera.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Box
Përfaqësuesi i Kuvendit ka kërkuar rrëzimin e kërkesës duke parashtruar se:
- Mbështetur në nenet 39 dhe 72 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, Presidenti i Republikës dhe shtetasi Zamir Poda nuk legjitimohen si subjekte të interesuara në këtë gjykim kushtetues, pasi në gjykime të karakterit abstrakt, si palë e interesuar, thirret organi që ka zbatuar normën objekt shqyrtimi.
- Neni 78, pika 1 kërkon që ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat të miratohen kur votojnë “pro” shumica e deputetëve të pranishëm dhe në asnjë rast, shumica e deputetëve që u konsiderohet vota e vlefshme. Kuorumi apo prania e deputetëve në votim shërben për të përcaktuar se sa është numri i anëtarëve të pranishëm në seancë plenare dhe sa do të marrin pjesë në një votim të caktuar.
- Interpretimi i një neni të Rregullores së Kuvendit nuk mund të jetë objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, pasi Rregullorja nuk është ligj kushtetues, por një akt që rregullon funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë.
- Kërkesa për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pasi kërkuesi, ndonëse proceduralisht ka barrën e të provuarit, nuk argumentojnë nëse ky vendim i Kuvendit është akt normativ. Gjithashtu, vendimi nuk krijon asnjë konflikt kompetence me ndonjë organ tjetër të pushtetit qendror apo vendor, çka do ta bënte të nevojshëm për t’ia nënshtruar kontrollit kushtetues sipas kërkesave të nenit 131/ç të Kushtetutës.
- Kërkesa për pezullim nuk është e bazuar në ligj, pasi ky vendim i Kuvendit nuk është akt normativ që imponon sjellje të përgjithshme të ndonjë institucioni apo organi shtetëror. Për rrjedhojë, ai nuk sjell ndonjë pasojë juridike për interesat shtetërore, shoqërore apo të individëve.
22 Tetor 2009