KLD pranon mbarimin e mandatit të kryegjyqtarit të Tiranës
TIRANE - Në mbledhjen e djeshme KLD-ja deklaroi mbarimin e mandatit të kreut të Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe, shpalljen e vendit vakant dhe fillimin e procedurës së konkurrimit për këtë post. Ndërkohë, Meçe pak ditë më parë, me rastin e mbarimit të mandatit ka paraqitur kërkesën për dorëheqje, duke e argumentuar edhe si një arsye për të qenë në të njëjtin stad me kolegët e tij të Gjykatës të Shkallës së Parë, konkurrentë për në Gjykatën e Apelit. Por, deri në emërimin e zëvendësuesit të tij, KLD-ja vendosi që ky funksion të vazhdojë të ushtrohet nga Meçe. Ky vendim u argumentua nga ana e Këshillit, duke vlerësuar eksperiencën e deritanishme të Meçes në drejtimin e Gjykatës së Tiranës për shkak të dinamikës së lartë të punës dhe problematikat e vazhdueshme që ngrihen pranë dy dhomave të gjykimit, si dhe hapjen rrugë të konkurrimit në këtë funksion drejtues në pozita plotësisht të barabarta për të gjithë gjyqtarët që duan të kandidojnë dhe të paraprirë nga delegimi i ndonjërit prej tyre. Sipas KLD-së, Gjykata e Tiranës e drejtuar prej katër vitesh prej Meçes, që nga shtatori i vitit të kaluar funksionon në dy godina dhe e ndarë në dy seksione, atë Penal dhe atë Civil. Kjo gjykatë llogaritet të përballojë ngarkesën e punës më të madhe në gjyqësorin shqiptar, pasi veç të tjerash gjykon një sasi të konsiderueshme çështjesh administrative me palë institucionet qendrore të shtetit. Po kështu në këtë gjykatë shqyrtohen edhe një sërë çështjesh penale të rretheve të ndryshme, të cilat delegohen në kryeqytet, ku palët në gjykim, palët e treta apo dëshmitarët përballen me probleme të sigurisë fizike. fa.ma.