Transfertat e Damir Fazlliç gjurmohen në pesë shtete
Prokuroria e kryeqytetit ka nisur pesë letërporosi në Zvicër, Qipro, Kroaci, Angli dhe Bosnjë, në kuadrin e hetimeve ndaj biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, i hetuar në Tiranë për “pastrim parash”. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se letërporositë tashmë u janë nisur autoriteteve të këtyre vendeve dhe konkretisht në Qipro për të verifikuar shitjen e kompanisë “Crown Acquisition”; në Zvicër për transferimin e parave të shitjes së kësaj kompanie si dhe për të verifikuar një firmë nënkontraktore që ka kryer procedurat e shitjes së “Crown Acquisition”; në Angli, Prokuroria ka kërkuar informacion mbi të gjitha transfertat bankare në të cilat është përfshirë Fazlliç dhe kompanitë e tij; ndërsa në Bosnjë dhe Kroaci, Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi pasi dyshohet se Fazlliç ka krijuar disa kompani që kanë kryer shitje me “Crown Acquisition”. Në njërën nga seancat gjyqësore të zhvilluara në Gjykatën e Tiranës, ku Fazlliç paditi Prokurorinë për heqjen e sekuestrove nga pronat e tij, organi i akuzës pretendoi se blerja e dy hektarëve tokë në Durrës dhe Porto Romano është bërë me 1.7 milionë euro në emër të “Crown Acquisition” dhe “Alfa”, kapitali i të cilave ka qenë vetëm nga 100 mijë lekë. Po kështu këto blerje, sipas Prokurorisë, nuk rezultojnë të jenë dokumentuar në llogarinë e këtyre kompanive. Shuma 1.7 milionë euro dyshohet se është transferuar nga Qipro. Ndërkohë, nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake janë transferuar në një bankë në Zyrih shumat 1.5 milionë euro dhe 450 mijë euro. Sipas prokurorëve, ky ishte një fakt që provonte se biznesmeni i përfolur në Shqipëri muajt e fundit, ishte përfshirë në afera të dyshimta. Ndërkohë, ditën e fundit të vitit 2008, Gjykata e Tiranës vendosi të hiqte sekuestron mbi pronat e Damir Fazlliç, ndërsa Prokuroria vazhdon hetimet ndaj tij. Gjyqtari i çështjes, Artan Broci, pranoi kërkesën e Fazlliç dhe avokatëve të tij, duke rrëzuar pretendimet e dy prokurorëve Besnik Cani dhe Dritan Reshka, se pronat e biznesmenit me shtetësi angleze në Shqipëri, përdoren thjesht për pastrim parash. Broci, në vendimin e vet i quajti akuzat e Prokurorisë të paargumentuara ligjërisht dhe të pambështetura në prova, ndaj vendosi heqjen e sekuestros nga dy kompanitë “Crown Acquisition” dhe “Alfa sha”. f.m.