Mjekësia, peticion për zgjedhjet në fakultet
ZIRINA LLAMBRO
“Zgjedhjet për këshillat studentorë në Fakultetin e Mjekësisë ashtu si vjet rrezikojnë të manipulohen edhe këtë vit”. Ky është thelbi i peticionit, që i është dërguar rektorit të Universitetit të Tiranës Dhori Kule dhe do të shpërndahet edhe në institucionet e tjera përkatëse. Jo pak por 800 firma janë mbledhur nga studentët, të cilët njëzëri i kërkojnë rektorit të UT të garantojë transparencën e votës së lirë. Akuza për përfitime personale me pozicionin që mban hidhen ndaj Kreut të Këshillit kombëtar të studentëve Qamil Dikës. “Në Fakultetin e Mjekësisë prej një viti po ushtrohet dhunë studentore e justifikuar me zgjedhjet për Këshilla Studentorë të 10 janarit të vitit të shkuar, zgjedhje në të cilat u dhunua e drejta kushtetuese e shumicës së studentëve të fakultetit tonë për t’u shprehur me votë. Ky proces i parregullt u pasua me legjitimimin, që Ju si Rektor i UT i njohët kandidatit të atëhershëm Qamil Dika, i cili manipuloi jo vetëm zgjedhjet në këtë Fakultet, por edhe ato të Këshillit Kombëtar të Studentëve për përfitime personale absolutisht të paligjshme”, thuhet në peticion. Në të theksohet se kërkesa e 800 firmëtarëve të peticionit për takim e ballafaqim, lidhur me zgjedhjet e vjetshme të 10 janarit nuk është marrë parasysh. “Na lejoni të supozojmë se është pikërisht mungesa e informacionit që Ju shtyn të mos lejoni organizimin e zgjedhjeve me motivimin se “strukturat politike kërkojnë të pushtojnë Këshillat Studentorë”. Por i nderuar zoti Rektor i Universitetit të Tiranës, përse nuk reaguat kur në mënyrë flagrante, i ashtuquajturi kryetar i të gjithë studentëve të Shqipërisë, Qamil Dika, njëkohësisht edhe kryetar ilegjitim i Fakultetit të Mjekësisë, publikisht akuzoi Presidentin e Republikës, Bamir Topi, përkrah një forumi politik, për mosveprim në lidhje me miratimin e një ligji që kishte ndezur tension politik në vend (atij të Lustracionit), pra u bë pjesë e një aksioni politik, në emër të së gjithë studentëve të Universiteteve Shqiptare”, thuhet në peticion. Në të nënvizohet se përpjekja për të mohuar të drejtën kushtetuese të më shumë se 33 000 studentëve të Universitetit të Tiranës për t’u shprehur me votë për përfaqësuesit e tyre në Këshillat Studentore është tërësisht e paligjshme dhe vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane të së Drejtave të Njeriut. “Është rasti që Ju të demonstroni se praktika e dhunimit të votës së lirë, manipulimit të zgjedhjeve dhe mohimit kategorik të së drejtës kushtetuese për të votuar janë të huaja për Universitetin e Tiranës dhe Rektoratin po aq sa janë të huaja jo vetëm për studentët firmëtarë të këtij peticioni, por edhe për të gjithë studentët e tjerë dhe mbarë shoqërinë shqiptare”, saktësojnë studentët që kanë firmosur peticionin për zgjedhjet në fakultete.