E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD shpall gjashtë vende bosh në tri gjykata të vendit



Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpall gjashtë vende vakante në disa nga gjykatat e vendit. Burime pranë këtij institucioni pohuan dje për gazetën “Albania” se për emërimet në këto vende bosh do të ndiqen procedurat e zakonshme për përzgjedhjen e gjyqtarëve që i pretendojnë ato. Të njëjtat burime shpjeguan se kësaj radhe bëhet fjalë për dy vende bosh në Gjykatën e Tiranës, tri vende në Gjykatën e Durrësit dhe një vend në Gjykatën e Gjirokastrës. Vendi bosh në Gjykatën e Gjirokastrës u krijua menjëherë pas emërimit të gjyqtarit Hysni Demiraj në Gjykatën e Apelit të Tiranës. KLD bën publike dhe formularin që duhet të plotësojnë aplikuesit. Madje, në fund të tij është vënë një shënim nëpërmjet të cilit kandidatët njoftohen se është e detyrueshme të plotësohen të gjitha rubrikat e formularit.
Prioriteti
Duke qenë se pjesa më e madhe e vendeve bosh janë në Gjykatën e Tiranës dhe Durrësit pritet të ketë një fluks kërkesash për aplikim. Sidomos gjyqtarët që janë aktualisht pjesë e gjykatave në zona të largëta aplikojnë gjithmonë për të qenë pjesë e trupës së gjyqtarëve të Tiranës ose Durrësit. Të njëjtat burime nga KLD-ja shpjeguan se në këtë garë do të kenë përparësi ata gjyqtarë që do të kenë një vlerësim pozitiv për punën vjetore nga ana e kryetarit të gjykatës ku punojnë. Ndërkohë, të gjithë ata që kanë marrë masa ndëshkimore do të jenë në dizavantazh me kolegët e tyre për të njëjtin vend vakant. Rëndësi ka koha kur është dhënë masa disiplinore. Do të ishte më mirë për kandidatët që të kishte kaluar periudhën 3–vjeçare pasi ajo nuk mbetet më në fuqi, por fshihet nga dosja personale e gjyqtarit.
Dokumentet
Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që u duhet kandidatëve dhe procedurat që do të ndjekin për të mbërritur deri në fazën finale të përzgjedhjes. Bashkë me dokumentet gjyqtarët që preferojnë këto vende pune duhet të plotësojnë gjithashtu edhe një formular. Për postin e gjyqtarit duhet të dorëzosh këto dokumente: kopje e diplomës të Fakultetit të Drejtësisë/Shkolla e Magjistraturës, kopje e listës së notave, certifikatë e gjendjes familjare, fotografi (format 9x12, 2 copë) si dhe dëshmi e gjendjes gjyqësore. Të tjera dokumente që duhet të dorëzojnë gjyqtarët janë edhe karakteristika e Shkollës së Magjistraturës, informacion nëse kanë marrë ndonjë masë disiplinore apo dhe certifikata që flasin për pjesëmarrje në trajnime të ndryshme që kanë qenë të vlefshme për profesionin.

Vendet bosh
Vendosi të shpallë publikisht dy vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Vendosi të shpallë publikisht një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër

Vendosi të shpallë publikisht tri vende vakante për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës

FORMULAR PERSONAL
I
Konkurruesit për plotësim vendi vakant për gjyqtar

Emri: ______
Mbiemri: ______
Datëlindja: ______(dita, muaji, viti)
Vendlindja: ______
Vendbanimi: ______(adresa e e sakte dhe e plote,
Kontakti: tel/fax, e-mail)
Arsimi: ______(titulli i diplomimit; Universiteti dhe
koha e diplomimit)
Mënyra e studimit: ______
Nota mesatare: ______
Kualifikime: ______
Gjuhët e huaja: ______(me ose pa dëshmi)
Punësimi/karriera: ______(qe nga koha e diplomimit; përfshire
edhe punësime eventuale para diplomimit)
Masa disiplinore: ______(ne qofte se ka; lloji i masës dhe koha
kur është dhënë)
Vlerësimi profesional: ______(sipas sistemit te vlerësimit)

Shënim: Ky formular duhet të plotësohet në të gjitha rubrikat dhe sipas renditjes, në këtë fletë ose edhe në një fletë tjetër.

Dokumentacioni i detyrueshëm

1. Dekreti i Presidentit të Republikës ose ekstrakt nga akti i emërimit si gjyqtar
2. Kopje e diplomës të Fakultetit të Drejtësisë / Shkolla e Magjistraturës
3. Kopje e listës së notave
4. Certifikatë e gjendjes familjare
5. Fotografi (format 9x12, 2 copë)
6. Dëshmi e gjendjes gjyqësore
7. Karakteristikë nga Shkolla e Magjistraturës (vetëm për Magjistratët)
8. Vendime për transferim, dhënie funksione drejtuese, lirim nga detyra
9. Certifikata për pjesëmarrje në trajnime të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës
10. Dokumente vërtetues të titujve të studimit, të fituar pas emërimit në detyrë, gjatë kurseve të trajnimit, arsimimit nga veprimtari shkencore, mësimdhënieje dhe në përgjithësi çdo dokument tjetër lidhur me përgatitjen teknike dhe profesionale të gjyqtarit, mes të cilëve dhe dëshmitë për pjesëmarrje në vizita studimore të organizuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë
11. Vlerësimi vjetor i punës i bërë nga kryetari i gjykatës ku ushtron aktivitetin gjyqtari, dokument i cili duhet të dorëzohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, brenda muajit janar të vitit pasardhës
12. Të gjitha vlerësimet e aftësive profesionale dhe të çështjeve të etikës në vite
13. Vendime për masa disiplinore
14. Dokumente lidhur me gjendjen shëndetësore (invaliditeti ose sëmundjeje)
15. Akte të tjera të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Presidentit të Republikës, të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
16. Procesverbalet e kontrolleve të bëra nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›