E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale, qeveria përzgjedh “Vodafone Albania” si administrator rrjeti



Ervin KOÇI

Autoritetet shqiptare të Ministrisë së Financave kanë përcaktuar fituesen e tenderit për vënien në funksionim të rrjetit “GPRS” në sistemin fiskal të vendit. Kompania fituese është shpallur “Vodafone Albania”, e cila u përzgjodh në garën e hapur që u mbajt për vënien në funksionim të këtij programi. Shoqëritë e Autorizuara nga Ministria e Financave për shpërndarjen e pajisjeve fiskale “A.E.Distribution Sh.p.k.”, “BNT Electronic Sh.p.k.”, “I.V.A. Electronik Sh.p.k.”, “CKV Noki Sh.p.k.”, “Rilindja Sh.p.k.” dhe “PKP Sh.p.k.”, njoftuan rezultatin përfundimtar të tenderit të zhvilluar për përzgjedhjen e operatorit të rrjetit të komunikimeve publike, për zbatimin e projektit për transmetimin e raporteve periodike fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Pas shqyrtimit të ofertave të paraqitura nga të tre operatorët e rrjetit te komunikimeve publike pjesëmarrëse “AMC Sh.A”, “Eagle Mobile Sh.A” dhe “Vodafone Albania Sh.A”, oferta më e mirë u përzgjodh ajo e shoqërisë “Vodafone Albania Sh.a”. Pas shpalljes fituese të kësaj gare shoqëria “Vodafone Albania”, deklaroi dje se do të ofrojë shërbimin “APN” (Açess Point Name), për përdorimin e rrjetit “GPRS” nëpërmjet Shoqërive të Autorizuara dhe do të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për mundësimin e lidhjes së drejtpërdrejtë me rrjetin e brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Procesi

Realizimi i projektit për vënien në përdorim të kasave fiskale tek të gjitha subjektet e biznesit nuk ka qenë i lehtë për Ministrinë e Financave, ku edhe aktualisht mund të thuhet se ai ka mbetur vetëm në fazën e tij të parë. Kostoja e instalimit të këtyre kasave, ajo e blerjes, si dhe të gjitha procedurat e tjera teknike, kanë qenë shkaku kryesor që ka zvarritur dhe bllokuar këtë proces. Subjektet e biznesit “VIP” në vend, janë bashkuar në qëndrimin e tyre për të mos e pranuar instalimin e kasave në kushtet e servirura nga Ministria e Financave, që ndër të tjera i shtonte shumë kostot dhe hangarit biznesit. Të parat që e kanë kundërshtuar këtë projekt, por dhe që kanë kërkuar uljen në bisedime me Financat kanë qenë shoqëritë e karburanteve, që tregtojnë në pikat e pakicës. Ato janë ankuar se nuk mund ta plotësojnë brenda afatit detyrimin ligjor për vendosjen e kasës fiskale. Shkak është vështirësia teknike, por edhe kostoja, e cila arrin deri në 3 mijë euro për pajisje. Për këtë arsye, gjatë ditëve të fundit, ka pasur një sërë takimesh mes Shoqatës së Hidrokarbureve dhe Ministrisë së Financave për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Por deri tani mësohet se akoma nuk është gjetur rruga e mesme, pasi ministria ka paraqitur një mori kushtesh ndër të cilat edhe atë që makinat që nuk paguajnë taksat e qarkullimit të mos kenë të drejtë të furnizohen me karburant.

Skadimi i afatit

Afati “i fundit” zyrtar për instalimin e kasave fiskale te subjektet e bizneseve të mëdha ishte data 31 maj 2009. Më pas sipas vendimit të Ministrisë së Financave, autoritet tatimore duhet të aplikonin gjoba të rënda në rast se nuk zbatohej ligji. Por kompanitë e bizneseve “VIP” e kanë kundërshtuar këtë praktikë dhe kanë kërkuar shtyrjen e këtij afati deri sa të përfundojnë negociatat me Financat dhe të gjendet një rrugëzgjidhje. Mësohet se takime janë zhvilluar edhe me pesë shoqëritë përgjegjëse për shpërndarjen e kasave fiskale, deri në gjetjen e një zgjidhje konkrete. Pak kohë më parë, përfaqësuesit e bizneseve shprehën shqetësimin që sipas tyre, kasat fiskale kanë kosto të lartë, sidomos për biznesin e vogël, por edhe për ato subjekte që kanë disa pika. Reagimi i Ministrisë së Financave në të gjithë këtë çështje ka qenë i shpejtë dhe nuk përjashtohen edhe lehtësitë e mundshme.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›