E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi i pasurisë, paditet ambasadori Tepshi dhe pesë punonjës të Tatimeve

Ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, nuk deklaroi 39 mijë euro pasuri. Pesë punonjës tatimesh dhe disa komunarë fshehën gjithashtu pasurinë e tyre

Habjon Hasani

Tiranë - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzon në organin e Prokurorisë një ambasador dhe disa punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, dega Tiranë, por edhe në rrethe, për veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Sipas njoftimit për mediat të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë, tri ditë më parë është kallëzuar në prokurori ambasadori ynë në Republikën e Çekisë, Qazim Tepshi. Në njoftimin për mediat thuhet se Qazim Tepshi, në deklaratat e tij të interesave private ndër vite nuk ka pasqyruar një shumë prej 35 000 eurosh, të depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Po ashtu, subjekti nuk ka deklaruar një transaksion bankar në shumën 39 000 euro, e cila i është kaluar në llogarinë e tij bankare nga një person i tretë. I pyetur lidhur me pasaktësitë e evidentuara nga Inspektorati i Lartë, Tepshi është përgjigjur se nuk e ka gjykuar të deklarojë këtë shumë sepse nuk janë krijuar nga puna në Ambasadë.
Tatimorët
ILDKP i ka vlerësuar argumentet e dhëna prej Tepshit të pabazuara, duke i konsideruar shkelje të ligjit. Personi tjetër për të cilin ka një kallëzim penal, Merita Aleksi, në deklaratat e interesave private ndër vite nuk ka pasqyruar depozita dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë, të cilat arrijnë shumën 3 589 048 lekë. Po ashtu, nga hetimi administrativ i ILDKP-së për pasurinë e deklaruar të Aleksit dhe familjarëve të saj, rezulton se nuk janë pasqyruar në deklarata depozita dhe llogari bankare të bashkëshortit të saj, Diogjen Aleksi, në shumat: 12 570 872 lekë; 12 766 euro; dhe 11 435 USD. Por tatimorët problematikë nuk përfundojnë këtu. Nga rakordimet e kryera deri në datën 18.06.2009 rezulton se nga subjektet e gjobitura nuk e kanë dorëzuar ende deklaratën e interesave private zyrtarët: Ismet Peca, përgjegjës sektori në DPT Kukës; Hilmi Rama, përgjegjës zyre në DPT Shkodër; Gëzim Ukperaj, specialist në DPT, Kukës; Shpëtim Guxholli, drejtor Drejtorie në DPT Korçë; Rrok Rroku, kryetar komune, Dajç, Lezhë; Agim Harrizi, ish-shef komisariati, Kuçovë. Për të gjithë këta zyrtarë, Inspektorati i Lartë ka bërë kallëzim penal, bazuar në Nenin 257/a/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet: “Refuzimi për deklarim ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj”.
Institucioni
Gjatë vitit 2009, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht në organin e prokurorisë 12 subjekte, nga të cilat 6 për “fshehje të pasurisë, mosdeklarim ose deklarim të rremë” dhe 6 subjekte për “refuzim për deklarim”. Ulja e ndjeshme e rasteve të refuzimit të deklarimit të interesave private është rezultat i angazhimit të Inspektoratit të Lartë për ndërgjegjësimin e zyrtarëve për respektimin e kërkesave ligjore. “Gjatë periudhës shkurt-mars 2009, stafi i ILDKP-së u impenjua në ofrimin e asistencës tekniko-ligjore për të gjithë zyrtarët, duke organizuar edhe një seri të gjatë trajnimesh në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Inspektorati angazhoi një sektor të veçantë për ofrimin e ndihmës për zyrtarët, me qëllim plotësimin e saktë të dokumentit ‘deklaratë e interesave private’, i cili u modifikua me disa rubrika të reja në fillim të vitit 2009. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë të zyrtarëve, Inspektorati i Lartë vendosi në dispozicion të subjekteve të gjitha mjetet e komunikimit, telefonik dhe elektronik. Ky impenjim i gjerë i ILDKP solli si rezultat ndërgjegjësimin e përgjithshëm të zyrtarëve për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratave të interesave private në afat dhe sipas përcaktimeve të parashikuara në ligj”, thuhet në njoftimin për shtyp të këtij institucioni.

Subjektet që mbartin detyrimin për deklarim

1. Mbartin detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive:
a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
b) nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas përcaktimit të Nenit 11 të Ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil";
c) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive, të njësive bashkiake dhe të komunave;
ç) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
d) prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve;
dh) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike;
e) drejtorët e Përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe shefat e sektorëve (komisariateve) në qendër, rrethe e rajone, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Doganave;
f) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë;
g) drejtuesit e të gjitha niveleve të KRRT-ve;
gj) zyrtarët që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;
h) drejtuesit e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe mesatarisht me më shumë se 50 punëtorë.
Kuvendi, me propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm, vendos detyrimin për deklarim të pasurisë për funksione të tjera të paparashikuara në këtë ligj.

Raporti i ILDKP-së, nuk u detajuan shkeljet e vitit 2008

Raporti për aktivitetin e vitit 2008 i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive mund të etiketohet edhe si një ”Guidë e trajnimeve 2008” të këtij institucioni(!). Në 17 faqe raportim aktiviteti që ky institucion i ka dorëzuar Parlamentit, 12 prej tyre nuk janë gjë tjetër përveçse një raportim i detajuar i tryezave të rrumbullakëta dhe trajnimeve që kanë kryer punonjësit e këtij institucioni. Pjesa e mbetur, rreth 5 faqe, përbëhet nga objektivat dhe ”qëllimet e guximshme” që ky institucion i ka rezervuar vetes për të ardhmen. Vetën në një faqe të vetme jepen të dhëna lidhur me investigimet e bëra në rangjet e larta të zyrtarëve, ku përmendet fshehja e pasurisë nga një zëvendësministër dhe procedimi penal për fshehje pasurie ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, çështje e cila rezulton sot e mbyllur në Prokurorinë e Tiranës. Më tej, në të vetmen faqe ku jepen të dhëna për abuzimet dhe investigimet e këtij institucioni, përmenden disa raste për pasaktësi në deponimin e deklaratës së pasurisë si dhe disa raste të gjobitjes me shuma të vogla për disa zyrtarë që kanë shkaktuar vonesa apo keqplotësim të formularëve. Gjithë pjesa tjetër e raportit vazhdon dhe bëhet një ”manual”, i cili shpjegon në mënyrë të detajuar se si janë trajnuar dhe janë edukuar punonjësit e këtij institucioni në tryeza të rrumbullakëta dhe seminare sensibilizuese për çështje që lidhen me pastrimin e parave. Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive është një institucion, punonjësit e të cilit paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky institucion nuk prodhon dhe nuk i sjell fitime shoqërisë. Megjithatë, shoqëria shqiptare ka vendosur që të financojë një institucion të tillë për të zbuluar dhe parandaluar fshehjen apo shtimin e paligjshëm të pasurisë të funksionarëve publikë. Ligji që rregullon mënyrën e funksionimit të ILDKP-së parashikon që të paktën një herë në vit inspektori i Përgjithshëm, pra kreu i institucionit, të raportojë në Kuvend për aktivitetin vjetor të institucionit.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›