Studimi: “Bota lundron mbi naftë por çmimi mbetet i lartë prej karteleve”
“Bota noton mbi naftë dhe çmimi mund të kthehet në atë të vitit 1950, kur ishte vetëm 20 dollarë". Kështu citohet në një studim të fundit që është kryer nga ekspertët e fushës së hidrokarbureve në institutin “Nus Consulting”. Në fakt, ky përfundim bie ndesh me pritshmërinë aktuale të tregjeve financiare ndërkombëtare, ku pritet rritje e vazhdueshme e çmimit të arit të zi. Por duket se një fakt të tillë e hedhin poshtë ekspertët e lartpërmendur, sipas të cilëve bazuar në burimet prodhuese të naftës në të gjithë globin, i bie që çmimi i saj të bjerë ndjeshëm dhe të mos ketë vend, të cilat ekspertët i kanë cilësuar si artificiale. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme në bursën e Nju Jorkut ari i zi është kuotuar me 66 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 1.2 për qind kundrejt një dite më parë. Ndërsa efektet e krizës ekonomike vazhdojnë të ndihen në të gjithë globin dhe të ndikojnë në kërkesën për energji, çmimi i naftës në bursën amerikane ra në 65 dollarë për fuçi. Rënie prej 4 për qind për furnizimin e gushtit, pësoi ari i zi edhe në tregjet aziatike dhe në atë të Londrës. Ndërkaq të dhënat më të fundit të papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregojnë se afro gjysmë milioni njerëz humbën vendet e tyre të punës në muajin qershor dhe niveli i papunësisë arriti rekordin prej 9.5 për qind për herë të parë në 26 vitet e fundit. Papunësia mbetet e lartë edhe në 16 shtete të Bashkimit Europian duke prekur nivelin e 9.5 përqindshit. Analistët shprehen se procesi i rimëkëmbjes së ekonomisë globale do të jetë i gjatë dhe i ngadaltë.
7 Korrik 2009