KLD, shtyhet zgjedhja e nënkryetarit të ri

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur të shtyjë për në mesditë zgjedhjen e nënkryetarit të ri, pas shkarkimit të Kreshnik Spahiut.
Mbledhja e cila është drejtuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëherësh kryetar i KLD-së është zhvilluar me dyer të mbyllura pasi është hedhur poshtë kërkesa e ministrit të drejtësisë Eduart Halimi që ajo të zhvillohej e hapur për mediat.
KLD-ja ka vendosur që të mblidhet rreth orës 12:30 për të shqyrtuar edhe dy propozimet për nënkryetar të ri të cilët janë Ilir Mustafaraj e Dritan Hallunaj ku më pas do të përzgjidhet njëri prej tyre.
Mbledhja e KLD-së është shoqëruar me debate rreth mënyrës së përzgjedhjes së nënkrytarit të ri dhe më pas është vendosur edhe shtyrja e saj.
Ndërkohë më herët, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar Elvic Cefën si anëtar të ri të KLD-së. Cefa u zgjodh disa ditë më parë në Parlament nga mazhoranca me një votim elektronik, gjë që u kundërshtua ashpër nga opozita.
Ndërkohë posti i nënkryetarit të KLD-së ka mbetur bosh pas shkarkimit të Kreshnik Spahiut. Ky i fundit është propozuar nga Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi në vitin 2007 pas përfundimit të mandatit të Ilir Pandës.