E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e karburanteve, rikthehet rritja në tregun e brendshëm

Vetëm në ditët e fundit, në pikat e karburanteve në vend çmimi i naftës dhe benzinës është rritur me 2 deri në 3 lekë për litër
 
Tregu i brendshëm i karburanteve ka filluar që të reflektojë lëvizjet e muajve të fundit në bursa, ku çmimet e arit të zi kanë pësuar një rritje krahasuar me periudhat e mëparshme. Vetëm në ditët e fundit, në pikat e karburanteve në vend çmimi i naftës dhe benzinës është rritur me 2 deri në 3 lekë për litër. Importuesit thonë se kjo rritje e re e çmimeve po vjen për shkak të rritjes së çmimit në bursa dhe zhvlerësimit të lekut. Por veç këtyre dy shkaqeve, sipas disa importuesve, çmimi po rritet edhe për shkak të përqendrimit të shkarkimeve vetëm në një pike të vetme, që është Porto Romano. Ndërsa drejtori i kompanisë “Alpet”, Ibrahim Aktoz, ka bërë të ditur në një intervistë për “Top Channel”, se kostot janë rritur edhe për shkak të infrastrukturës së keqe në Porto Romano. “Kemi disa probleme në Porto Romano. Kur koha është e keqe dhe kur ka dallgë, anijet presin në radhë dhe kjo ka një kosto jo të vogël. Ky vit do të rritet në nivelin ekonomik dhe sipas parashikimeve, pritet rritja e çmimit të fuçive të naftës 80-90 dollarë për fuçi pas qershorit”, pohon ai. Krahasuar me majin e vitit të kaluar, çmimi i karburanteve në treg është rritur me gati 10 lekë për litër.
***
Pas shumë javësh që ishin vetëm në rritje, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare e ka mbyllur ditën e djeshme në një nivel prej 73 dollarësh për fuçi. Gjatë fundit të vitit 2009 dhe fillimit të vitit 2010, çmimet e arit të zi pësuan një rritje që kaloi 80 dollarë për fuçi, duke treguar se ekonomia botërore kishte shpresa për t’u rimëkëmbur. Kërkesa e lartë për naftë u mbështet edhe nga i ftohti i madh që përfshiu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë të madhe të Europës. Rënia në çmimet e arit të zi në bursat ndërkombëtare erdhi pas deklaratës së bërë nga karteli i naftës OPEC. 11 vendet prodhues më të mëdhenj të arit të zi në botë kanë bërë të ditur sipas “Reuters”, se recesioni ekonomik botëror vazhdon që të ulë kërkesën për naftë, në një kohë që nga ana e kartelit ka një rritje të ofertës. OPEC-u bën të ditur se në muajin janar 2010 janë prodhuar 26.80 milionë fuçi, prodhim ky me rreth 150 000 mijë fuçi më shumë. Nga ana tjetër, OPEC vazhdon të besojë se edhe viti 2010 do të jetë i vështirë për sa u përket çmimeve të arit të zi, në një kohë që monedha europaine vazhdon që të humbasë terren ndaj dollarit amerikan.
***
Nafta kapërceu nivelin më të lartë të 15 muajve të fundit në tregjet ndërkombëtare vetëm dy javë më parë, pas të ftohtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës. Por rritja e çmimit të naftës duket se nuk ka ardhur vetëm nga ky shkak, por ka pasur edhe faktorë të tjerë, të cilët duket se varen tashmë nga ekonomia energjike aziatike. Banka qendrore e Kinës la tregjet e habitur, duke e ngritur normën e interesit për një tremujor, ndërsa tregjet e morën këtë si një sinjal për forcimin e politikës, duke bërë presion mbi mallrat dhe kryesisht mbi çmimin e naftës. Dyfishimin e çmimit të naftës gjatë vitit 2009 specialistët ia faturojnë kryesisht ekonomisë kineze dhe rritjes së saj të fortë. Por rënia në 7 dollarë për fuçi e çmimit të naftës në mesin e kësaj jave, pas rënies edhe të indeksit të bursave në SHBA me 2 për qind dhe rritjes së prodhimit nga OPEC-u, tregoi edhe njëherë se ekonomia botërore po vuan ende pasojat e krizës ekonomike që goditi pikërisht një vit më parë, në të njëjtën periudhë. Krahasuar me fillimin e vitit 2009, çmimi i arit të zi është dukshëm më i lartë.
 
 
INSTAT: Varfëria në zonat malore, 114 % më e lartë
Në Shqipëri ende një pjesë e popullsisë, kryesisht zonat malore, nuk e ka kapërcyer pragun jetik. Ky fakt jepet nga të dhënat e INSTAT-it, të publikuara gjatë vitit 2009, në anketën për matjen e nivelit të jetesës. Projekti më i madh i matjes së trendit të varfërisë në Shqipëri që nga viti 2002, i financuar nga Banka Botërore dhe PNUD, tregoi se krahasuar me vitin 2005, përqindja e popullsisë së varfër është ulur nga 16.2 për qind në vitin 2005 në 13.0 për qind në vitin 2008. Por ndryshe nga zona qendrore dhe bregdetare, zonat malore kanë mbetur prapa, duke zgjeruar distancën me zonat e tjera. Kryeqyteti ynë Tirana, megjithëse shfaq nivelin më të ulët të varfërisë, nuk ka pasur reduktim të mëtejshëm në krahasim me 2005 përkundrazi, një rritje e vogël në 8.7 për qind në 2008 nga 8.1 për qind në 2005). Përqindja e të varfërve në zonat malore tregon për një ndryshim pothuajse të papërfillshëm nga 25,6 për qind në vitin 2005 në 26.6 për qind në vitin 2008. Nga analiza që kanë kryer ekspertët, rezulton se brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale. “Varfëria rurale në të gjitha rajonet e tjera kanë përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor, varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67 për qind më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002, dhe vetëm 14 për qind më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5 për qind më e lartë” ,thuhet në raport.
Varfëria sipas BB
Por kriza që ka përfshirë botën, pa falur edhe Shqipërinë, është një burim tjetër varfërie. Burimi i varfërisë në vendet si Shqipëria, sipas Bankës Botërore, po vjen fillimisht për shkak të humbjes në masë të vendeve të punës, si edhe rënies së remitancave, që mbeten faktor kryesor për sigurimin e ushqimit për një numër të madh familjesh në vend. Humbja më e madhe në vendet e punës do të jetë në sektorin e ndërtimit, sipas BB, pasi studimi bën të ditur se rënia e këtij sektori llogaritet që të jetë e shpejtë edhe gjatë vitit 2010. Varfëria e rritur në shumë nga vendet me të ardhura mesatare ose të ulëta ka ardhur edhe për shkak të kolapsit në çmimet e ushqimit. Duke qenë se janë vende bujqësore dhe pjesa më e madhe e popullsisë jeton me anë të punës në bujqësi, rënia e çmimeve të këtyre prodhimeve, trajektore kjo që pritet të vazhdojë të jetë prezente edhe në vitin 2010, ka çuar një pjesë të madhe të popullsisë drejt vijës së varfërisë.
 

Shifrat
Përqindja e të varfërve në zonat malore tregon për një ndryshim pothuajse të papërfillshëm nga 25,6 për qind në vitin 2005 në 26.6 për qind në vitin 2008. Nga analiza që kanë kryer ekspertët, rezulton se brenda rajonit malor, problemi shfaqet në zonat rurale. “Varfëria rurale në të gjitha rajonet e tjera kanë përjetuar një rënie të ndjeshme në vitin 2008, megjithatë në rajonin malor, varfëria rurale ka qëndruar pothuajse e njëjtë. Më konkretisht, ndërsa në rajonet rurale shkalla e varfërisë ishte 67 për qind më e lartë se niveli kombëtar i zonave rurale në vitin 2002, dhe vetëm 14 për qind më e lartë në vitin 2005, tani është 114,5 për qind më e lartë”, thuhet në raport.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›