E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD vendos të zbatojë vendimet e Gjykatës së Lartë për gjyqtarët e ndëshkuar

Kreshnik Spahiu do të përpilojë korrespondencat për secilën gjykatë. Fillimisht do të përfitojnë nga ky vendim gjyqtarët që kanë vite që kanë marrë një vendim gjykate

Laureta Rryçi

Tiranë - Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë vendosur të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë për gjyqtarët e ndëshkuar prej tyre. Burime pranë këtij Këshilli shpjeguan dje se kjo përgjegjësi i është deleguar nënkryetarit, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit do të përgatisë të gjitha korrespondencat me gjykatat që do të presin ish-gjyqtarët që kanë qenë pjesë e trupës së tyre. Ky vendim nga ana e KLD-së erdhi pas shumë rekomandimeve të instrumenteve ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar si shqetësim moszbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Të njëjtat burime treguan se fillimisht nga ky vendim mund të përfitojnë rreth 30 gjyqtarë, më pas kjo shifër do të jetë më e lartë. E gjithë jo për shkak se pjesa më e madhe e gjyqtarëve që janë ndëshkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kanë mundur t’i cilësojnë të padrejta këto vendime.
Vendimi
Pas kritikave nga raportet ndërkombëtare dhe organizmat që veprojnë në vend, anëtarët e KLD-së më në fund kanë rënë dakord që duhet të zbatohen të gjitha vendimet e gjykatave superiore për gjyqtarët e ndëshkuar. Në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli, anëtarët kanë vendosur që këtë skemë ta përcaktojë numri dy i këtij institucioni, Kreshnik Spahiu. Ky i fundit do të përcaktojë dhe listën e parë të gjyqtarëve që kanë marrë një vendim të Gjykatës së Lartë që janë ndëshkuar pa të drejtë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për dhjetë vite me radhë, ka ndëshkuar jo pak, por 101 gjyqtarë në të gjithë vendin. Ndëshkimi më i rëndë ka qenë deri në largim nga puna, ndërsa fare të pakta janë rastet kur ndaj tyre mund të jetë nisur një procedim penal. Ndëshkimet e para kanë nisur që në vitin 1997, duke përvijuar deri në ditët e sotme.
Masat
Të denoncuar nga qytetarë të thjeshtë që kanë qenë palë në proces, apo të zbuluar nga ndonjë kontroll i zakonshëm jo vetëm gjyqtarë të thjeshtë, por edhe drejtues gjykatash, janë kthyer në personazhe ndëshkimi për KLD-në. Midis tyre ndeshesh si me gjyqtarë që janë larguar krejtësisht prej Gjyqësorit, ashtu edhe me ata që në dosje kanë masa disiplinore. Përgjithësisht pjesa më e madhe e tyre kishte vite që jepte drejtësi, por kontrolli u është bërë dosjeve të caktuara në varësi të urdhrit të ministrit të Drejtësisë apo denoncimeve të veçanta. Por nuk mungojnë edhe rastet kur këto vendime nga ana e anëtarëve të Këshillit janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë. Falë këtyre vendimeve jo pak gjyqtarë janë rikthyer në detyrë, duke lënë pas pikëpyetjen se a bënë shkelje, apo jo dhe a u tregua i drejtë Këshilli me ta.

EURALIUS kritika KLD-së për ndëshkimet e gjyqtarëve

Tiranë - Sipas EURALIUS, sistemi shqiptar i procedimeve disiplinore dhe përgjegjësive të gjyqtarëve nuk përputhet plotësisht me standardet evropiane. Këshilli i Evropës ofron udhëzime të qarta për përgjegjësinë dhe procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve. Disa prej këtyre standardeve evropiane zbatohen në legjislacionin dhe në praktikën shqiptare, por në disa raste ato lihen mënjanë nga ligjbërësit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare. Sipas standardeve evropiane dhe Rekomandimeve të Këshillit të Evropës, sistemi i inspektimit të gjykatës nuk duhet të fokusohet në themelin apo saktësinë e vendimeve të atyre që kërkojnë drejtësi. Specialistët e huaj kanë argumentuar se gabimet gjyqësore, qofshin këto në lidhje me juridiksionin apo procedurën, për të siguruar apo zbatuar ligjin ose për të vlerësuar atë duhet të trajtohen në apel apo rekurs në Gjykatën e Lartë, jo nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Jo çdo shkelje e rregullave të disiplinës mund të përfundojë me një procedim disiplinor. “Nëse masa disiplinore dhe shkalla e disiplinës që do të merret janë të përshtatshme apo jo, kjo duhet të përcaktohet nëpërmjet zbatimit të arsyeshëm dhe të arsyetuar të teksteve ligjore dhe duhet të varet nga faktorë siç janë rëndesa e shkeljes, ekzistenca apo jo e një modeli veprimtarie të papërshtatshme dhe efekti i veprimtarisë së papërshtatshme mbi të tjerët ose mbi sistemin gjyqësor dhe për mbrojtjen e publikut. Në shumë raste, masa informale mund të mjaftojnë për të zgjidhur problemin”, thuhet në studim.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›