KLD verifikon dosjen “Xhakaj”: Shkelje, proçedim disiplinor gjyqtarëve

Një javë pas kontrollit të ushtruar në Gjykatën e Durrësit, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka verifikuar ankesën publike mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të dyshuarit, si autor i aktit të rëndë kriminal ndodhur në datën 13.09.2012, Ilir Xhakja, 38-vjeçarit i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiri.
Sipas inspektoriatit të KLD-së, nga verifikimi janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve.
Për këtë arsye, Zëvendëskryetari, Elvis Çefa, i përcolli sot Ministrit të Drejtësisë, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor.
Ndërkohë më 14 shtator, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkoi hetimin e procedurave të ndjekur për lirimin e Ilir Xhakjas. Ai rezulton i dënuar për vrasje nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë e shkallës së dytë, por me një vendim të datës 27 mars 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda, e dënoi Ilir Xhakjan me 21 vite burg për akuzën e vrasjes por më pas çështja pushoi dhe Xhakja u lirua në vitin 2011.
Më 17 shtator Gjykata e krimeve të rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Xhakjan, 38-vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiri.