KLSH: Abuzimet 12 milionë euro më 2010
Dëmi financiar i zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë vitit 2010 arrin në total 1,613,661 mijë lekë, sipas të dhënave të raportit të KLS, për punën e bërë gjatë vitit 2010. Në raport citohet se, KLSH ka rekomanduar shpërblimin e dëmit në masën 100%. Duke iu përmbajtur të dhënave të raportit të KLSH-së, për vitin 2010 janë ushtruar 19 kontrolle në Departamentin e Kontrollit të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit, nga të cilat 10 kontrolle janë kryer në degët doganore dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, 8 kontrolle në degët e tatimtaksave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, nga të cilat kanë rezultuar parregullsi dhe shkelje të legjislacionit fiskal, madje në disa raste janë shoqëruar me evazion fiskal. Ndërsa, efektet negative në vjeljen dhe arkëtimin e të ardhurave tatimore nga sistemi tatimor dhe doganor, për llogari të buxhetit të shtetit për 2010-ën, llogariten në shumën 722,615 mijë lekë, nga të cilat 363,171 mijë lekë në sistemin e tatimtaksave dhe 359,444 mijë lekë në sistemin doganor. Ndërsa Departamenti i Kontrollit të Zbatimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike gjatë 2010 ka numëruar 60 kontrolle të ushtruara në ministri, bashki, prefektura, këshilla qarqesh, komuna, agjenci qendrore dhe zyra rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave, zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, njësi të ndryshme buxhetore, etj. Nga 60 kontrollet, sipas raportit të KLSH-së, në 50 prej tyre janë konstatuar dhe evidentuar shkelje me pasojë dëm ekonomik, në shumën prej 321,139 mijë lekë. Duke iu referuar këtij raporti, Departamenti i Kontrollit të Zbatimit të Buxhetit Qendror, të institucioneve të administratës së lartë publike dhe mbikëqyrjes së auditimit të brendshëm, ka ushtruar 42 kontrolle, nga të cilat në 29 prej tyre janë konstatuar dhe evidentuar shkelje me dëm ekonomik, në vlerën 290,619 mijë lekë. Përsa i përket Departamentit të Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me financime të huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit, gjatë vitit 2010 ka ushtruar 32 kontrolle, nga të cilat ka rezultuar se arkës së shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 279,288 mijë lekë. Sipas Raportit të KLSh-së, nga vlera e përgjithshme e dëmit ekonomik, prej 1.613.661 mijë lekë, është rekomanduar për shpërblim të dëmit e gjithë vlera. Duke iu referuar raportit në fjalë, nga kjo vlerë deri në fund të vitit 2010 janë nxjerrë urdhrat përkatëse për shpërblimin e dëmit dhe janë në proces arkëtimi 787,440 mijë lekë, të përkthyera në masën 49% të vlerës gjithsej, të rekomanduar për shpërblimin e dëmit.