Skadon afati, PS vendos sot për regjistrimin në zgjedhje
Sot skadon afati ligjor për regjistrimin e subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme vendore, të parashikuara për t’u mbajtur në datën 8 Maj. Ndërkohë që po sot Partia Socialiste pritet të mbledhë “kryesinë e vogël” për të marrë vendimin nëse do të respektojë një afat për t’u regjistruar apo të vijojë të presë më parë një zgjidhje politike për situatën e përgjithshme dhe në veçanti atë për krijimin e kushteve dhe garancive të nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Nga ana tjetër, KQZ ka regjistruar dje 12 subjekte të tjera elektorale, përfshi këtu edhe PDK-në, aleaten e socialistëve në opozitë, duke çuar kështu në 33 numrin e përgjithshëm të partive që kanë plotësuar kushtet për të qenë pjesë e garës së ardhshme zgjedhore.
Socialistët
Partia Socialiste pritet të paraqesë sot në limitet kohore që parashikon Kodi Zgjedhor kërkesën e saj zyrtare për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për garën elektorale të 8 Majit. Por pavarësisht pritshmërisë, vendimin përfundimtar do ta marrin drejtuesit e lartë socialistë, të cilët sot kanë lënë një takim të posaçëm për këtë çështje. Në takim pritet të marrin pjesë përveç kryetarit Edi Rama, edhe kreu i Asamblesë, Gramoz Ruçi; nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle; sekretarët Fatmir Xhafaj dhe Blendi Klosi, si dhe disa figura të tjera të larta. Në këtë takim do të diskutohet pikërisht për atë nëse PS duhet të respektojë afatin ligjor për t’u regjistruar, apo do të këmbëngulë për të gjetur më parë një zgjidhje politike për situatën. Gjatë këtij takimi pritet të diskutohet edhe për dorëzimin e emrave për komisionerë në komisionet e nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve, pra në KZAZ, pavarësisht se ka më shumë se një muaj që është djegur çdo afat që përcakton Kodi. Ndërkohë, shenjën e parë të lëshimit të opozitës në drejtim të respektimit të Kodit Zgjedhor e ka dhënë dje Partia Demokristiane e Nard Ndokës, e cila është regjistruar me vendim KQZ-je.
Regjistrimet
Gjatë mbledhjes së djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe 12 subjekte të tjera zgjedhore, duke e çuar në 33 numrin total të tyre. Përveç PDK-së, KQZ ka regjistruar dje edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe forcën politike që përfaqëson çamët, PDIU. Krahas tyre u miratuan edhe Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Europian, me kryetar Edmond Themelkon; Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, me kryetar Shefqet Musaraj; Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë, me kryetar Kadri Isufaj; Partia Ardhmëria Shqiptare, me kryetar Emin Subashin; dhe Partia Reformatore Demokratike e Shqipërisë, me kryetar Skënder Halilin. Pjesë e garës për zgjedhjet e 8 Majit janë bërë gjithashtu dhe Partia Aleanca Demokristiane, e kryesuar nga Zef Bushati; Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet, e kryesuar nga Halim Seitaj; Partia Socialiste e Moderuar, e kryesuar nga Gjergj Koja; Partia Demokracia e re Europiane, e kryesuar nga Koçi Tahiri; dhe Partia e Çështjeve Shqiptare, me kryetar Bujar Shkurtin. KQZ ka miratuar dhe modelet përfundimtare të fletëve të votimit.