E Shtunë, 31 Tetor 2026

TVSH e ilaçeve rrit inflacionin e shkurtit

Rritja e çmimeve është reflektuar tashmë edhe në statistikat qeveritare. Instituti i Statistikës njoftoi dje se, niveli i inflacionit për muajin shkurt arriti 4.5 për qind, niveli më i lartë i 12 muajve të fundit, por njëkohësisht kaloi edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë për këtë tregues, i cili është 3 për qind. Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e patën rritja e çmimeve të ilaçeve nga përfshirja e tyre në TVSH, naftës dhe ushqimeve. Kështu, sipas INSTAT, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 4.9 për qind, brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 23.5 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të domateve, me 44.9 për qind, qepëve të thata, me 41.5 për qind, specave me 35.9 për qind, kastravecave me 31.2 për qind, patateve me 33.1 për qind, etj. Çmimet e nëngrupit “fruta“ shënuan një rritje prej 4.0 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonave, me 15.5 për qind, mandarinave dhe mollëve me 4.7 për qind, dardhëve me 4.0 për qind, portokalleve me 2.2 për qind, etj. Gjatë muajit shkurt, çmimet shënuan rritje edhe në nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçohen rritjet në nëngrupet “bukë dhe drithra”, me 3.2 për qind, “sheqer e ëmbëlsira” me 3.3 për qind, “vajra dhe yndyrna” me 0.5 për qind, “qumësht djathë e vezë” me 0.2 për ind etj. Indeksi i grupit “Pije alkolike dhe duhan“ shënoi një rritje prej 2.2 për qind, ku mund të veçohet rritja e çmimit të duhanit me 3.8 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.4 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve shënuan një ulje prej 0.1 për qind dhe çmimet e këpucëve, një ulje prej 1.1 për qind. Indeksi i grupit “Qira, ujë lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.5 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm me 1.1 për qind. Indeksi i grupit “Shëndeti" shënoi një rritje prej 2.2 për qind, brenda të cilit çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 1.6 për qind. Indeksi i grupi “Transport” shënoi një rritje prej 0.6 për qind. Gjatë muajit janar, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.5 për qind dhe çmimi i benzinës 1.3 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›