Prokuroria, PD e PS ndërrojnë qëndrim
Erald Kapri
Maxhoranca dhe opo-zita ndryshojnë qëndrimet ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Kryeprokurorja Ina Rama raportoi dje në Komisionin e Ligjeve për raportin e punës, për vitin 2009, ku për më se 3 orë ajo iu përgjigj pyetjeve të deputetëve. Ndërsa deputetët e djathtë vlerësuan punën e Prokurorisë, deputetët e opozitës kërkuan shpjegime dhe llogari nga Rama për hetimet në disa nga dosjet e famshme si "Gërdeci", "Durrës-Kukës", 'Fazlliç" etj. Debati mes palëve arriti kulmin në fundin e seancës kur deputetët e djathtë paraqitën një rezolutë për mbështetjen e punës së Prokurorisë dhe inkurajimin e saj në luftën kundër krimit të organizuar. Rezoluta, e cila mbështeste punën e Prokurorisë, u abstenua nga deputetët e opozitës.
Debati
Projektrezoluta, në një nga pikat e saj, kërkonte që Prokuroria të ndëshkojë shkelësit e ligjit, duke përmendur edhe shkelësit e Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e fundit të 28 qershorit. Deputeti i PS-së Pandeli Majko kërkoi tërheqjen e rezolutës dhe kërkoi një grup punë mes dy palëve për hartimin e një drafti të përbashkët. "Kërkuam që të bëhej një grup i përbashkët pune. E hodhët poshtë me votë dhe nuk keni pse të prisni ndonjë lloj vote nga ana jonë", tha Pandeli Majko. Sipas kreut të Komisionit Rusmali, rezoluta ishte në mbështetje të ligjit dhe procesoi me miratimin e saj. Por deputeti i PS-së Saimir Tahiri e cilësoi si të papranueshëm faktin që në rezolutë të futej edhe pika për mosrespektimin e Kodit Zgjedhor, pasi sipas tij, bie ndesh me momentet e fundit politike kur të dyja palët kërkojnë arritjen e një kompromisi. "S'mund të miratohet një rezolutë kur shprehet impakti pozitiv i saj në moszbatimin e Kodit Zgjedhor. Ne jemi drejt arritjes së një konsensusi, pasi ndodhemi në krizë dhe nuk mundet që tani Kuvendi të vlerësojë luftën kundër krimeve e korrupsionit për moszbatimin e ligjit zgjedhor, pasi kjo bie ndesh dhe me arritjen e një kompromisi", tha Tahiri. E ashpër ishte kundërpërgjigja e kreut të Komisionit Ilir Rusmali, i cili deklaroi se opozita ka hedhur baltë mbi institucionin e Prokurorisë. "Ne e kemi vuajtur abuzimin arrogant të opozitës ndaj Prokurorisë. Keni hedhur baltë mbi të. Po keni karta false i çoni në prokurori dhe mos bëni luftë me kauzë të mbrapshtë, por respektoni ligjin", tha Rusmali. Në fund të seancës, deputetët e opozitës abstenuan rezolutën duke deklaruar se do të sjellin amendime para se ajo të kalojnë në seancën e radhës në Kuvend. Rezoluta të pikën e saj të dytë thotë se Prokuroria duhet tu përgjigjet "akuzave të ngritura nga disa drejtues të këtyre institucioneve si KLSH-ja, ILDKP-ja dhe KQZ-ja pasi jo vetëm që nuk kanë marrë një përgjigje të qartë, por ka munguar dialogu pozitiv me to, duke dëmtuar efikasitetin e kësaj lufte".
Raportimi
Më se 10 deputetë i drejtuan pyetje kryeprokurores Ina Rama në lidhje me gjendjen e kriminalitetit në vend, korrupsionit si dhe rasteve të hetimit. Deputetët e maxhorancës vlerësuan shifrat e Prokurorisë, duke kërkuar që të mos harrohen dosjet e vjetra, për të cilat kryeprokurorja tha se "nuk ka dosje të pezulluar". Deputeti i PS-së Saimir Tahiri kërkoi shpjegime për disa nga dosjet e njohura të hetimit si "Gërdeci", "Durrës-Kukës", Fazlliç" etj, por Ina Rama, me kërkesë të kreut të Komisionit Rusmali, tha se në respektim të nenit 53 të ligjit të Prokurorisë, nuk do të jepte asnjë shpjegim për raste konkrete hetimi.