E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Autoriteti i Aviacionit Civil shkelje me vlerë mbi 2 milionë euro

Aeroporti i Rinasit / foto arkiv

Nga  auditimi i parregullsive të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Autoritetin e Aviacionit Civil, për periudhën e veprimtarisë  janar 2010 – shkurt 2012, rezulton se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm më shumë se 2 milionë euro.

KLSH vëren se AAC ka favorizuar dy kompani ajrore në dëm të buxhetit me vlerë 1.9 milionë euro. Mos hartimi dhe mosparaqitja për miratim te Ministri i MPPT i tarifave që duhet të zbatohen nga AAC, për shërbimet që duhen kryer në zbatim të nenit 9, pika 2, të ligjit nr. 10040, datë 22.12.2008 “Kodi Ajror i RSH” dhe neneve 6, 17 të ligjit nr. 10233, datë 11.02.2010 Për Autoritetin e Aviacionit Civil, gjë e cila është shoqëruar me efekte financiare negative në të ardhurat e AAC-së në vlerën 1,986,116 Euro, duke favorizuar kompanitë ajrore Belle Air dhe Albanian Airlines, thuhet në raportin e KLSH-së.

Gjithashtu janë shkaktuar mbi 400 mijë euro dëm për shkak të mosparashikimit të ardhurave nga udhëtimet Charter, duke i kaluar ato në udhëtime Schedule si edhe mbi 10 mijë euro për shkak të mos vjeljes së tarifës së sigurisë prej 2 euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga aeroporti i Rinasit, ku 25% e të cilës merret nga AAC.

Në raport thuhet se AAC i ka shkaktuar buxheti një dëm me vlerë mbi 4.3 milionë lekë për shkak të moszbatimit të kushteve të kontratës të lidhur me një fondacion shqiptar, ku nga auditimi me zgjedhje, vetëm për muajin nëntor 2011 është konstatuar kjo diferencë.

KLSH ka depozituar dy kallëzime penale nw prokurori pwr ish-Drejtorin e AAC dhe Zv.drejtorin Ekzekutiv. Sa i takon dëmit të shkaktuar, KLSH kërkon ndjekje në rrugë ligjore si edhe shkarkim nga puna për zv.drejtorin Ekzekutiv dhe paralajmërim me shkrim për largim nga puna me afat shlyerje 1 vit e vërejtje me shkrim me afat shlyerje 6 muaj, për 26 punonjës. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›