E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e deputetëve, në ankand pas datës 10 shkurt

Makinat e deputetëve, por edhe të administratës, që u hoqën nga përdorimi me ligj, do të dalin në ankand për shitje pas datës 10 shkurt, kur pritet të dalë edhe udhëzimi përkatës nga Ministria e Brendshme. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervës së Shtetit, Hysen Arapi, tha dje për gazetën “standard” se specialistët janë drejt përfundimit të udhëzimit dhe pas publikimit të tij do të nisë procedura e zhvillimit të ankandit. Në bazë të ligjit të miratuar në Kuvend, bëhet fjalë për rreth 3 700 makina që janë përdorur deri më sot nga zyrtarët shqiptarë, mes tyre edhe deputetë apo zyrtarë të lartë, si zëvendësministra, të cilat do të vlerësohen dhe do të dalin në ankand të hapur për t’u blerë nga çdokush.
Deputetët
Sipas ligjit, një grup zyrtarësh, rreth 374 titullarë, mes tyre edhe deputetët, kanë të drejtën e parablerjes së tyre. Nëse ata dëshirojnë të zotërojnë makinën që kanë përdorur si zyrtarë të shtetit apo si të zgjedhur në Kuvend, mund të bëjnë kërkesën për të parablerë makinën, pasi asaj i është bërë vlerësimi nga komisioni përkatës. Drejtori Arapi informon se zyrtarët që kanë të drejtën e parablerjes së makinës, duhet të bëjnë një kërkesë në institucionin e tyre për të blerë makinë. “Zyrtarë që kanë të drejtë parablerjeje, edhe deputetët, duhet të bëjnë një kërkesë të veçantë pranë institucionit të tyre. Në këto institucione do të ngrihet komisioni për vlerësimin”, - tha Arapi. Ai më tej shtoi se ende nuk ka filluar grumbullimi i makinave të zyrtarëve dhe kjo do të bëhet pas publikimit të udhëzimit përkatës. Kështu, Kuvendi i Shqipërisë do të ngrejë një institucion të veçantë për të vlerësuar vlerën e makinave që përdorin deputetët dhe më pas, nëse ata pëlqejnë t’i blejnë, do të duhet t’i paguajnë, në të kundërt, makinat do të kalojnë në rezervën e shtetit për t’u shitur me ankand të hapur sipas vlerësimit.
Udhëzimi
Ndërkaq, qeveria ka miratuar udhëzimin për procedurat e ankandit. Vendimi i qeverisë shpreh se lista e mjeteve të transportit që do të shiten, së bashku me të dhënat përkatëse, për vitin e prodhimit, markën dhe modelin, i dërgohet nga autoriteti shitës, zyrës doganore më të afërt, e cila brenda pesë ditëve kalendarike përgjigjet zyrtarisht për vlerën që rezulton për secilin automjet nga tabelat e buletineve, që pasqyrojnë vlerën e shitjes në tregjet evropiane. Zyra doganore e bën verifikimin në përputhje me udhëzimin nr. 25, datë 30.11.2007, të ministrit të Financave. Titullarët e autoriteteve shitëse brenda 3 muajve nga marrja e përgjigjes nga zyra doganore, ngrenë komisionet e ankandit, përbërja e të cilave është në përputhje me nenin 8 të ligjit. Komisioneve të ankandit u vihet në dispozicion inventari i mjeteve të transportit, në pronësi të autoritetit shitës, duke përcaktuar ato mjete, që u janë dhënë në përdorim titullarëve, zyrtarëve apo nëpunësve të tjerë dhe që posedohen prej tyre, si dhe i gjithë dokumentacioni për këto mjete transporti. Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që të ardhurat e mbledhura nga shitja e automjeteve të tepërta në dispozicion të ministrive dhe institucioneve të varësisë, do të derdhen në buxhetin e shtetit. Mjetet e mbetura të pashitura në përfundim të procedurave të ankandit grumbullohen në rezervat e shtetit. Kur vlerësohet se procedurat e ankandit të parë kanë dështuar, vijohet me procedurat e ankandit të dytë. Njëkohësisht shoferët, të cilët dalin të papunë nga zbatimi i këtyre procedurave, trajtohen në përputhje me Kodin e Punës, në varësi të kontratave individuale.

Vlerësimi i makinave dhe procedura e shitjes

Komisionet e ankandit, brenda 2 muajve nga data e krijimit, hartojnë dokumentet e ankandit, në përputhje me këtë vendim. Komisioni harton materialin shpjegues, me karakteristikat e secilit objekt që do të shitet, material i cili është pjesë e dokumentacionit për ankandin dhe duhet të përshkruajë qartë objektin, që do të shitet me ankand, duke iu referuar aktit të pronësisë mbi objektin apo aktit ligjor të disponibilitetit të tij, si dhe foto të tij. Materiali duhet të përmbajë vlerën fillestare të ankandit të mjetit të transportit, si dhe të përshkruajë metodologjinë e përdorur për vlerësimin e objektit të shitjes. Nga përshkrimi duhet të dalë gjendja funksionale e objektit të shitjes nga pikëpamja teknike, estetike dhe funksionale. Komisionet, për të llogaritur vlerën e mjetit të transportit, që do të dalë në ankand, do t’i referohen tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet, që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane. Vlerës së gjendur në tabelë i zbritet 50% si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur është vlera e mjetit të transportit, e cila do të jetë edhe vlera fillestare e ankandit. Nëse nuk ka posedues të mjetit apo në rastet kur blerja është refuzuar nga personi, i cili ka pasur të drejtën e parablerjes mbi mjetin, objekt i ankandit, atëherë kalohet në procedurën e hapur. Në procedurën e hapur, komisioni i ankandit, në emër të autoritetit shitës, publikon në faqen zyrtare të internetit të institucionit përkatës, njoftimin e ofertës për fillimin e procedurave. Njoftimi dhe dokumentacioni, në varësi të vendimit të marrë nga komisioni, qëndron i publikuar apo vihet në dispozicion të të interesuarve, për një periudhë 1-mujore, kohë gjatë së cilës çdo i interesuar mund të paraqesë/depozitojë ofertën e vet pranë komisionit. Njoftimi, në këtë rast, duhet të sqarojë edhe vendin se ku duhet paraqitur apo depozituar oferta.

Deputetët mund të blejnë makinat me këste

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka parashikuar edhe procedurën e parablerjes së makinave të zyrtarëve të lartë, një të drejtë që e kanë vetëm zyrtarët e lartë. Në total bëhet fjalë për qindra makina të cilat mund të parablihen si nga deputetët për shembull. Komisioni i ankandit, pas llogaritjes së vlerës fillestare, harton njoftimin, i cili, së bashku me dokumentacionin për mjetin, i ofrohet, së pari, nëse ka, zyrtarit në dispozicion të të cilit është mjeti, i cili duhet që brenda tri ditëve pune të kthejë përgjigje me shkrim, për pranimin ose jo të ofertës, si dhe për kushtet e pagesës. Për vlera më të mëdha se 1 000 000 ( një milion lekë) lekë, zyrtari, në dispozicion të të cilit është mjeti, që gëzon të drejtën e parablerjes dhe që ka pranuar ofertën, ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e pagesës me këste, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për çdo vit pasardhës, me kusht që të shlyejë menjëherë, të paktën këstin e parë prej 1 000 000 (një milion) lekësh. Kontrata e shitjes duhet të përmbajë edhe kushtet e pagesës, nëse ka, dhe nënshkruhet nga blerësi dhe titullari i autoritetit shitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›