E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza denoncon babain: “Më dhunon”

ELBASAN - Me pretendimin se keqtrajtohej vazhdimisht nga i ati, një vajzë nga Elbasani është paraqitur së fundi në Komisariatin e Policisë, ku nuk ka ngurruar të depozitojë një denoncim ndaj tij. Në bazë të këtij denoncimi, kryefamiljari M. B., banues në lagjen “Aqif Pasha” të qytetit, është vënë tashmë nën hetim. Burime të policisë vendore thanë se adoleshentja F. B. është marrë në pyetje pas denoncimit, në të cilin akuzonte të atin për dhunë të vazhdueshme ndaj saj. Të njëjtat burime thanë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti të dhunës në familje, që ka njohur përhapje në shoqërinë shqiptare gjatë viteve të fundit. Për t’i thënë ndal këtij fenomeni, institucionet shtetërore kanë marrë një sërë iniciativash. Para disa javësh policia e Elbasanit zbuloi një rast ku babai kishte dhunuar dhe kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e tij të mitur, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Më në fund policia bëri arrestimin e tij. Ndërsa në shkallë vendi vetëm dy muajt e fundit janë shënuar disa raste të tilla.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›