E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, një i vdekur dhe disa të plagosur për 24 orë

Gjatë 24 orëve të fundit janë përgjakur asket rrugore në disa qytete të vendit. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se është shënuar një viktimë në qytetin e Shkodrës, ndërsa janë plagosur disa persona të tjerë në incidente të regjistruara në Lezhë, Lushnjë dhe Tiranë. “Më datë 12.02.2008, rreth orës 09:30, te kryqëzimi në lagjen “Rus” në qytetin e Shkodës, si pasojë e një aksidenti rrugor, ka gjetur vdekjen shtetasi Gjok Vuktilaj”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare të policisë së qytetit verior. Sipas tyre, viktima ishte rreth moshës 60 vjeç dhe kishte lindur në Vermosh të rrethit të Malësisë së Madhe. Ai banonte në lagjen “Perash”, Shkodër. Drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin është shtetasi turk Mustafa Mutllu, i cili, teksa po drejtonte automjetin e tij tip “Volvo” kamion, me targa 35CLZZF79, është përplasur me viktimën. Po në Shkodër, në vendin e quajtur “Ura e Shtojit”, shtetasi E. Markola, banues në Grizhë të Malësisë së Madhe, teksa po udhëtonte me makinën e tij tip fuoristradë “Mitsubishi Pajero”, me targa te huaja ZA803PL, ka aksidentuar shtetasin R. A., 50 vjeç dhe të bijën e tij 12-vjeçare. Të plagosurit po ecnin në biçikletë. Burime spitalore bëjnë të ditur se babë e bijë ndodhen në Spitalin Rajonal të Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në mesditën e djeshme, në Bulevardin "Zhan D' Ark", në Tiranë, një makinë tip "Volskwagen" ka aksidentuar një shtetas rreth të 50-ave, ndërsa tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës te tjetri me biçikletë. I aksidentuari është transportuar në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy ditë më parë janë lënduar rëndë në një aksident automobilisti bashkëshortët Shati nga fshati Balldren i rrethit të Lezhës. Sipas burimeve policore, L. dhe M. Shati, mbrëmjen e së martës, teksa po udhëtonin me një motoçikletë nga Lezha për në banesën e tyre, dolën jashtë rruge si pasojë e drejtuesit të mjetit. Sipas burimeve të informacionit, M. Shati, 60 vjeç, u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë për shkak të gjendjes kritike, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›