E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Shumica kërkon të fshehë Gërdecin me ligjin e spiunëve”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e ka cilësuar ligjin për hapjen e dosjeve si një përpjekje të maxhorancës për të fshehur tragjedinë e Gërdecit. Ajo gjithashtu ka hedhur dyshime se maxhoranca po vështirëson hetimet mbi tragjedinë e Gërdecit. “Kjo maxhorancë, e cila e ka mbajtur për 3 vjet në sirtar, e sjell për ta bërë në dyjavëshin e fundit, përpara mbylljes së sesionit, çka tregon që nuk është serioze, por tregon edhe motivet e sjelljes me urgjencë të kësaj nisme, që janë motive që lidhen me çështjen e Gërdecit, pra për të spostuar vëmendjen nga tragjedia”, - është shprehur Leskaj. Ajo gjithashtu është shprehur se maxhoranca me këtë ligj kërkon të tërheqë vëmendjen dhe nga varfëria që ka pllakosur vendin. “Së dyti, ka të bëjë me spostimin e vëmendjes nga çështjet e varfërisë, që çdo ditë e më shumë po rritet dhe natyrisht, është edhe pjesë e luftës së brendshme apo klaneve brenda PD-së”, - është shprehur Leskaj. Ajo bëri të qartë qëndrimin e Partisë Socialiste, i cili është në mbështetje të një procesi që bazohet në instrumentet ndërkombëtare. “Përsa i përket qëndrimit të PS-së, ne jemi për një proces, i cili mbështetet në instrumentet ndërkombëtare, në të drejtat e njeriut dhe kryesisht në Konventën e Këshillit të Europës, që i referohet edhe kësaj çështjeje, si dhe në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Rregulloren e Parlamentit. Ne jemi për një proces që mbështetet në instrumentet ndërkombëtare dhe në legjislacionin shqiptar”, - është shprehur Leskaj.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›