300 të papunë nisin kurset profesionale
Gjirokastër Rikthimi i traditës së punimeve të realizuara në gur të skalitur, drugdhendje etj, ka shtuar edhe mundësinë e punësimit të zanatçinjve gjirokastritë. Janë me dhjetëra gurgdhendës kryesisht mosha të reja, të cilët janë përfshirë në projektet restauruese që po zbatohen aktualisht në Gjirokastër. Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional në Gjirokastër ka ndërmarrë nismat e para për çeljen e kurseve të trajnimit në lidhje me zanatin e gurgdhendësit apo profesione të tjera të traditës, çka ka krijuar mundësinë e punësimit të rreth 300 personave. Sipas specialistëve të kësaj drejtorie, pasi është studiuar tregu i punës, është konstatuar se aktualisht ka kërkesa për profesionet e ndryshme të traditës gjirokastrite. “Ne kemi testuar kërkesat e tregut të punës dhe kemi parë se zanati i gurgdhendësit është i kërkuar si pjesë e tregut turistik”, - thonë specialistët e trajnimit profesional. Duke konstatuar këtë element, ky institucion ka nisur çeljen e kurseve të trajnimit për zanatet tradicionale. “Pikësynimi ynë është trajnimi i personave të papunë dhe kryesisht i të rinjve në lidhje me mësimin e zanatit të gurgdhendësit për t’u kualifikuar dhe orientuar më mirë në tregun e punës”, - thonë ata.