E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH fsheh raportin per Rreshen-Kalimash

  Raporti përfundimtar për rrugën Rrëshen-Kalimash, nuk bëhet publik për shkak të hetimeve të prokurorisë
Ndërsa nuk ka dhënë asnjë detaj për shifrat e shkeljeve financiare në rrugën Rrëshen-Kalimash, për shkak të hetimeve të Prokurorisë, KLSH ka deklaruar se, gjatë prokurimeve të kësaj rruge janë realizuar shkelje të mëdha financiare në prokurime dhe në kontratat e rrugëve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka dhënë detaje për rezultatet e nxjerra në procedurat e prokurimit të segmentit të shumëpërfolur Rrëshen-Kalimash. Të gjitha shkeljet e konstatuara në këtë segment rrugor janë kaluar në heshtje në drejtim të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke respektuar sipas këtij institucioni ligjin për fshehtësinë e hetimeve. Por sipas KLSH, gjatë kontrollit që ka përfshirë vetëm 100 milionë euro prokurime në këtë segment ka shkelje të rënda financiare, të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik, me një faturë të fryrë për buxhetin e shtetit. KLSH ka sqaruar se gjatë kontrollit të realizuar në prokurimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, ka caktuar kontrollorët më të mirë dhe me eksperiencë. Theksimi për një kontroll real i drejtohet Prokurorisë së Tiranës, duke i kërkuar kësaj të fundit që të marrë masat e nevojshme për krerët e Ministrisë së Transporteve që tashmë janë nën hetim.
***
Kontrolli i fundit i realizuar nga ana e KLSH në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, për vitin 2005, ka përfshirë gjithsej 30 procedura prokurimi, me vlerë investimi 2.6 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2006 janë kontrolluar 30 procedura të tjera, me një vlerë prej 11.2 miliardë lekë. Procedurat e prokurimit që janë kontrolluar nga ana e KLSH kanë përfshirë rrugët Rrëshen-Kalimash, Kalimash-Kukës-Morinë, rruga Mauzoleum-Ura e Dajlanit-Durrës, ndërtimi i rrugës Qafë Sopot - Qafë Morinë, etj. Nga kontrolli i këtyre procedurave të prokurimit dhe zbatimit të kontratave KLSH bën të ditur se ka konstatuar shkelje dhe parregullsi të ligjit, nga të cilat, në 18 procedura prokurimi është konstatuar një dëm ekonomik rreth 1 milionë dollarë.
***
Shkeljet e konstatuara nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit në këto kontrolle, janë të përqendruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Për të dalë nga kjo situatë, që sipas KLSH e ka përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve prej kohësh, janë propozuar një sërë masash, në mënyrë që ky dikaster të riformohet nga e para. Sipas KLSH, shkeljet financiare të kryera nga kjo drejtori kanë efekte negative për buxhetin e shtetit, në vlera të mëdha.
+++
box me foto
KLSH: Rrugët, në varësi të Berishës
Duke vlerësuar se shkeljet në vlera të mëdha financiare të konstatuara në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve janë një fenomen i vazhdueshëm gjatë kontrolleve periodike, KLSH ka propozuar si një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë që kjo drejtori, të kalojë në varësi direkte të Kryeministrit të Republikës. Një masë e tillë, sipas KLSH-së është mëse e nevojshme pasi kjo drejtori ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, di edhe vlerat e mëdha financiare që administron kjo drejtori. Vetëm në kontrollin e fundit që është zhvilluar nga KLSH në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, 10 punonjës të saj janë kallëzuar penalisht në Prokurori. Gjithashtu, nga ana e KLSH janë marrë masa të ndryshme organizative, masa për dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar, masa administrative për 8 persona të kontraktuar dhe 15 masa disiplinore, zgjidhje të kontratës së punës për 4 punonjës dhe vërejtje me shkrim për 11punonjës të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›