Turi, Rama, takim me të rinjtë e Lazaratit
Kryesocialisti Edi Rama flet për politikën e re përballë të rinjve
TIRANË- Edhe pse shpesh janë cilësuar si mbështetës të flakët të demokratëve në pushtet, banorët e Lazaratit, ashtu si gjithë shqiptarët e tjerë vuajnë të gjitha fenomenet negative të kësaj qeverisje, duke filluar që nga papunësia, varfëria, mungesa e energjisë elektrike, rrugët e paasfaltuara etj. Në vijim të turit të tij "Dialog me Shqipërinë", kryesocialisti Edi Rama i shoqëruar dhe nga kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, anëtari i Kryesisë, Arben Isaraj dhe deputeti Bashkim Fino, është ndalur dhe në një takim në ambientet e Universitetit të Gjirokastrës, me të rinjtë e fshatit Lazarat, me të cilët ka bashkëbiseduar në lidhje me problemet që shqetësojnë rininë shqiptare. Në këtë takim, Rama ka garantuar se politika e re e Partisë Socialiste do të sjellë më shumë punësim për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që sot edhe pse shkollohen apo mbarojnë universitetin, mbeten të papunë. Në këtë takim kryetari socialist ka nënvizuar domosdoshmërinë për një bashkëpunim përtej ngjyrave të partive politike, si një mundësi për të shmangur atë që ai e konsideron në vazhdimësi si politikë e vjetër dhe për të mbështetur ato ide që e afrojnë sa më shumë Shqipërinë me familjen e madhe evropiane. "Duhet që të rejat dhe të rinjtë të japin shembullin e një politike, që është tërësisht e ndryshme nga politika që na shurdhon dhe na verbon. Krejtësisht e ndryshme nga politika që na lë pa punë, na lë pa shkollë, na lë pa të ardhme. Duhet të jetë e ndryshme nga politika, që po e shterpon fshatin shqiptar dhe po e bën të pajtueshëm edhe qytetin shqiptar",- u shpreh Rama gjatë këtij takimi. Gjatë paradites Rama ka zhvilluar edhe takim me Dekanin e Fakultetit të Gjirokastrës. Në këtë takim është diskutuar për fenomenet e braktisjes së arsimit në vend dhe mundësitë e daljes nga kriza arsimore në të cilën është futur i gjithë sistemi. Turi i dialogut është shtrirë edhe në komunat e Cepos dhe të Antigonës, në qarkun e Gjirokastrës, ku Rama ka dëgjuar me vëmendje banorët e këtyre zonave, të cilët kanë shprehur shqetësimet dhe propozimet e tyre për të dalë nga kjo gjendje. "Realitetet më të rënda janë ato të fshatit shqiptar, realitetet e komunave të Shqipërisë, ku ata që jetojnë dhe punojnë për të nxjerrë bukën e gojës kanë shumë për të thënë, sepse ne jemi të bindur që politika duhet të dalë nga rrethi i mbyllur i problemeve, që ajo vetë i shpik",- u shpreh Rama.