Përse na duhet NATO?
Afrimi i Samitit të NATO-s dhe mundësia që Shqipëria të marrë ftesën për të qenë anëtare e Aleancës ka nxitur një debat të ri politik, për nevojën e reformave të thella politike dhe ekonomike. Është e qartë se, në pak muajt e mbetur, as politikë-bërësit në Shqipëri, as shoqëria shqiptare e sigurisht, as edhe Aleanca nuk pret që të bëhen mrekulli dhe vendi të plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara për anëtarësim në NATO. Megjithatë, koha e mbetur deri në Samitin e ardhshëm të NATO-s është e mjaftueshme për të demonstruar një vullnet politik të plotë të qeverisë dhe opozitës, të paktën për hartimin e një programi konkret aksionesh praktike. Por, në mënyrë të veçantë, koha e mbetur është e mjaftueshme për të filluar një proces politik bashkëpunimi dhe konsensusi midis qeverisë dhe opozitës, përkundër konfliktit politik dhe zero sum game, që kanë qenë karakteristika përcaktuese të politikave shqiptare që nga rënia e regjimit komunist.
Pas disa mesazheve të kryeministrit Berisha për të bashkëpunuar me opozitën, tanimë është kjo e fundit që ka propozuar fillimisht një rezolutë për të bashkëpunuar dhe për të dhënë konsensusin për reformat që e përgatisin vendin për anëtarësim në NATO dhe tash së fundi, një pakt kombëtar për reformën në sistemin e drejtësisë. Ky artikull argumenton se me të dy propozimet, por sidomos me paktin kombëtar, siç e quan kryetari i Partisë Socialiste, Rama, është e mundshme të mobilizohen institucionet politike dhe shoqëria, për të shkuar drejt ndryshimeve të thella politike dhe ekonomike, që do t’i jepnin fund tranzicionit politik konfliktual në Shqipëri.
Por, si mund të shndërrohet ky moment debati në një marrëveshje të madhe mbipartiake midis palëve politike në Shqipëri? Këtu ka disa çështje që duhen shqyrtuar.
Së pari, qeveria dhe opozita në Shqipëri kanë shkuar drejt marrëveshjeve mbipartiake, vetëm në raste krizash të thella politike dhe nën presionin e institucioneve ndërkombëtare. Kriza e vitit 1997 është një nga shembujt e plotë. Ndërkaq, kjo dukuri nuk është vetëm shqiptare. Shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni shkuan drejt një marrëveshjeje pas krizës së rëndë të vitit 2001 dhe, po ashtu, nën presionin e faktorit të jashtëm. Kjo dukuri sot është tipike dhe në rajone të tjera, ku vendet dhe shoqëritë janë përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi. Sot në Shqipëri nuk ka ndonjë krizë të tillë, që t’i shtrëngojë palët politike të shkojnë drejt marrëveshjeve mbipartiake. Por presioni dhe inkurajimi ndërkombëtar ekziston. Propozimet në vigjilje të Samitit të NATO-s, kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe atë në sistemin e drejtësisë, i kanë nxitur partitë shqiptare jo pak, së pari, për të folur për reformat dhe për të shkuar drejt marrëveshjeve politike. Fakti që inkurajimi për të shkuar drejt politikave bashkëpunuese, politikave të pajtimit dhe konsensusit, vjen nën presionin e jashtëm, flet jo vetëm për kulturën e varësisë politike nga jashtë, por edhe për shkallën e ulët të pjekurisë politike.
Së dyti, përvoja shqiptare, por jo vetëm shqiptare, ka treguar se në demokracitë e dobëta dhe në zhvillim, palët politike nuk u përmbahen në substancë marrëveshjeve politike. Për shembull, marrëveshja politike më 1997 në Shqipëri nuk u respektua për të gjitha çështjet për të cilat u ra dakord. Marrëveshja apo Pakti Kombëtar që opozita propozon tani, sa do të zgjasë? Disa muaj? Deri në përfundimin e Samitit të Bukureshtit? Shkurt, pyetja që ngrihet është kjo: A është propozimi i Partisë Socialiste një aksion politik tipik i opozitës, për të përdorur një moment politik, siç është prova për të marrë ose jo ftesën Shqipëria: Pra, a po bën opozita një lëvizje politike preventive për të shfajësuar vetveten nesër në një rast, - jo të pamundur, kur aleanca mund të shtyjë ftesën për anëtarësi në NATO. Dhe jo vetëm kaq, por të fajësojë edhe qeverinë për dështim lidhur me anëtarësimin në NATO. Nga opozita ka pasur zëra të veçuar, por jo të parëndësishëm, të cilët kanë artikuluar qartë se qeveria duhet të japë dorëheqjen në rast se Shqipëria nuk merr ftesën për anëtarësim në NATO. Anëtarësimi në NATO do të jetë ngjarja e dytë për nga rëndësia, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Dhe sigurisht, nëse kjo ndodh gjatë kësaj administrate, është krejtësisht e qartë se krediti së pari do t’i takojnë kësaj qeverie, ndonëse në përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO apo BE kanë kontribuar të gjitha qeveritë postkomuniste në Shqipëri. Anëtarësimi në NATO do të jetë një “armë“ e rëndësishme në favor të qeverisë aktuale në fushatën elektorale për zgjedhjet politike të vitit 2009. Por e kundërta nuk është domosdoshmërisht e vërtetë: pra, nëse Shqipëria nuk do të marrë ftesën për anëtarësim këtë pranverë do të jetë e është e vështirë të fajësosh qeverinë aktuale dhe ta përdorësh këtë si armë në fushatën e ardhshme elektorale të vitit 2009.
S’ka dyshim se të gjithë do të dëshironim që Shqipëria të merrte ftesën për në NATO. Mirëpo anëtarësimi në NATO, së pari, do të vlerësohet nga shkalla e përgatitjes së vendit, në pikëpamjen e funksionimit të sistemit politik, të ekonomisë, si dhe nga shkalla e reformave në forcat e armatosura. Dhe për përmbushjen e këtyre kritereve është e vështirë të fajësosh qeverinë e dy viteve të fundit. Por më tej, vendimi që aleanca do të marrë në Prill, do të jetë një vendim politik dhe do të bazohet jo vetëm në performancën e çdo vendi kandidat, por edhe në konsiderata të tjera apo çështje të tjera që s’kanë të bëjnë me Shqipërinë, por me rajonin, me probleme të vetë aleancës apo problemeve të pazgjidhura që FYROM ka me Greqinë, anëtare e NATO-s e të tjera.
Por le të kthehemi te pyetja, nëse Partia Socialiste po e propozon marrëveshjen e madhe si një aksion parandalues dhe zgjedhor. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë motivet, por gjithsesi qartësia është e nevojshme, sepse po të kërkojmë marrëveshje politike mbipartiake, thjesht për qëllime afatshkurtra politike të njërës apo tjetrës palë, apo marrëveshje që do zgjasin dy-tre muaj, jo vetëm nuk jemi seriozë ndaj një çështjeje thellësisht serioze politike, por dëshmojmë se nuk kemi kuptuar ose nuk duam të kuptojmë se përse na duhet anëtarësimi në NATO. Anëtarësimi në NATO nuk është qëllim në vetvete. Politika normale, qeverisja e mirë, demokraci dhe ekonomi që funksionon, si dhe një sistem drejtësie, ku askush nuk është mbi ligjin,- pavarësisht nga paratë që ka apo posti publik,- nuk na duhen për të prerë biletën për të hyrë në NATO, por për vetë të ardhmen e shtetit të politikës të përparimit ekonomik dhe modernizimin e vendit e të shoqërisë.
Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, keqkuptimet për anëtarësimin në NATO kanë qenë jo të pakta. Nga të dyja administratat, çështja e NATO-s është parë si një problem i reformimit të ushtrisë dhe siç e keni parë, here-herë ka kapardisje arrogante dhe boshe, si dhe përpjekje për të “privatizuar” anëtarësimin në NATO nga ministrat e Mbrojtjes.
Së treti, anëtarësimi në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian, është e qartë se kërkon marrëveshje politike dhe jo vetëm për sistemin e drejtësisë. Opozita propozon një pakt të madh për drejtësinë. Sipas kryetarit të PS, Rama, marrëveshja do të konsistojë në një konsensus, që të shërbejë si një udhërrëfyes për raportet midis drejtësisë dhe politikës dhe ku rotacionet politike të partive në pushtet të mos kenë efekte mbi institucionet e drejtësisë. Mirëpo sistemi i drejtësisë, ndonëse nga më të rëndësishmit, është vetëm një prej sistemeve që duhet reformuar edhe kjo për shkak të deformimeve dhe ndërhyrjeve të politikës. Marrëveshja e madhe politike duhet të jetë mbi një thelb politik të plotë, që mund dhe duhet të synojë e të reformojë mënyrën se si bëhet politika në Shqipëri. Shqipëria reflekton tiparet e një shteti të dobët, ku nuk ka ndonjë dallim të qartë midis qeverisë dhe shtetit. Qeverisë në kuptimin e kabinetit qeveritar dhe forcës politike në pushtet nuk është domosdoshmërisht shteti dhe institucionet e tij, të cilat duhet të funksionojnë pavarësisht nga rotacionet politike. Dhe ka ndodhur, e kjo mund të ndodhë përsëri që kur qeveria humbet legjitimitetin, mbështetjen, humbet legjitimitetin edhe shteti. Atëherë qytetarët, në vend që të vihen kundër qeverisë, vihen kundër shtetit dhe institucioneve të tij. Jo rrallë qeveria identifikohet me shtetin. Kemi parë të ndodhë, dhe jo vetëm në rastin e Shqipërisë, ajo që në teorinë dhe analizën politike emërohet si governmentalizim i shtetit.
Pakti kombëtar nuk mund të përfshijë vetëm sistemin e drejtësisë, por të gjitha institucionet themelore të shtetit. Për shembull, administratën publike, që është nga të më të dobëtat, e cila ndërron sipas partive që ndërrojnë njëra-tjetrën në pushtet.
Çështje të tjera, si ligji dhe institucionet zgjedhore, duhet të jenë pjesë e paketës së një marrëveshje politike mbipartiake. Për fat të keq, ende në Shqipëri ligji për zgjedhjet, si dhe administrimi i tyre, janë një mosmarrëveshje e madhe politike. Reformat në këto institucione dhe në të tjera, nuk duhet të jenë përjashtuese.
Por mbi të gjitha, një marrëveshje politike midis partive politike në Shqipëri duhet të jetë një marrëveshjeje pajtimi, për t’i dhënë fund ndërtimit të politikave përmes konfliktit dhe përjashtimit të të tjerëve.