Urdhëri për heqjen e gradave, e ktheu ushtrinë në brigat të kooperativave bujqësore
E KORREKTUAR!
Leci Nr.4 / (Për botim)
Arkivat 1976
Plenumi që përgatiti pushkatimin e gjeneralëve
Është quajtur "Plenumi i zi", Plenumi i KQ të PPSH që kryqëzoi Beqir Ballukun e që përgatiti të njëjtin fat për Petrit Dumen, Hito Çakon (të tre u pushkatuan) e për shumë gjeneralë e ushtarakë madhorë që u dënuan me burgime të gjata. Ja dokumente arkivore për atë plenum, marrë na AQSH:
Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë u mbajt në Tiranë, më 25-26 korrik 1976. Për rend dite kishte:
1- Raport, letër, vendime, fjala e Enver Hoxhës, procesverbali i mbledhjes së Plenumit të 5-të të KQ të PPSH, mbi këto çështje. 2- Mbi disa çështje të rëndësishme që kanë dalë në udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes, që kanë të bëjnë me vijën e Partisë në Ushtri dhe Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. 3- Fjala e Enver Hoxhës në mbyllje të Plenumit. 4- Mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror dhe nga Partia e Punës së Shqipërisë të Beqir Ballukut. 5- Dhënie mase, shënim në Kartën e Regjistrimit, Petrit Dumes e Hito Çakos. 6- Mbi dhënien e masës ndëshkimore "Vërejtje e rëndë me shënim, në Kartën e Regjistrimit" të Rrahman Përllakut. 7- Miratimi i Letrës së Komitetit Qendror të PPSH, për veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut. 8- Në Plenum morën pjesë 68 anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH dhe 40 kandidatë të PPSH. (Fondi 14, Lidhja 1, Dosja 1).
Po shokët e Ballukut çfarë thanë për të në ato momente. Ja dëshmitë arkivore:
Mehmet Shehu: Dëgjo, Beqir Balluku, Partisë tonë asnjëherë nuk i ka shkuar miu nën mustaqe. Partisë tonë kurrë nuk ia ka ngrënë qeni shkopin. Thuaja Byrosë Politike haptazi qëllimet tradhtare që ke pasur.
Hysni Kapo: Metodat e Beqir Ballukut janë metoda puçiste e trockiste. Vetëm armiqtë e Partisë veprojnë kështu. Ne dënojmë me neveri e në mënyrë të vendosur veprimtarinë e tij armiqësore.
Kadri Hazbiu: Dua të theksoj punën e kujdesshme të shokut Enver, të shokut Mehmet e të shokut Hysni, për zbulimin e kësaj të keqeje të madhe e të rrezikshme. Pikëpamjet e Beqirit janë tërësisht të shtrembëruara. Teoritë e tij janë hileqare dhe të pabesa.
Koço Theodhosi: Me lloj-lloj metodash Beqir Balluku është përpjekur të kamuflojë veprimtarinë e tij kundër Partisë. Por nuk është aq kollaj të na e hedhë.
Abdyl Këllezi: Nuk mund ta lemë Ministrinë e Mbrojtjes në duart e një armiku. T'i jepet gjyqit!
Piro Dodbiba: Gabimet e tij (Beqir Ballukut) nuk janë të zakonshme, por të paramenduara. Sado të paarsimuar të kemi qenë, kemi mësuar, ndaj nuk ka asnjë justifikim për veprimtarinë armiqësore.
Rrapo Dervishi: Beqiri është një Judë. Ai është një Koci Xoxe. Ai është një kapitullant para superfuqive. T'i jepet gjyqit!
Prokop Murra: Në Ministrinë e Mbrojtjes do bërë qilizëm i thellë. Beqir Balluku nuk fliste asnjëherë për hallet dhe problemet që na preokuponin, por gjithë kohën e kalonte me gjuetinë e peshkut dhe me sporte. Veprimtaria e tij është e rrezikshme dhe armiqësore. T'i jepet gjyqit!
Shefqet Peçi: Shokë, sikur të kishte ndodhur luftë, mendoni se çfarë pasojash do të kishte ajo. Beqiri ka qenë i tillë që në kohën e Koçi Xoxes. Ai nuk ka qenë kurrë ushtarak. Haram e pastë bukën e popullit dhe këshillat e Partisë!
Enver Hoxha: Ti, Beqir Balluku, po tallesh me shokët, por ne nuk të lemë të tallesh.
Por ky (siç del dhe në studimin e Lecit), është vetëm fillimi i goditjes ndaj kuadrove madhorë të ushtrisë; një fillim tragjik që nuk do të ndalej me kaq.
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente arkivore e dëshmi lidhur me raportet dhe ndëshkimet e rënda të Enver Hoxhës e regjimit të kohës ndaj gjeneralëve e ushtarakëve madhorë, që bënë luftën e ngritën Ushtrinë, problemin e fortifikimit dhe kundërshtimin e Josif Zegalit, në letrën dërguar Enver Hoxhës për këtë problem.
Më 1 maj 1966 u dha urdhri, e në mëngjezin e së nesërmes, të gjithë ushtarakët nisën punën pa paleta mbi supe. Sipas urdhrit të dhënë, në ushtrinë shqiptare, hiqeshin gradat. Kjo, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe rrëfimeve të ushtarakëve madhorë të kohës, ishte një goditje e rëndë për ushtrinë e mbrojtjen e vendit. Kundërshtimi i këtij urdhri, u pasua me ndëshkime, arrestime e dënime. Sipas ish-ushtarakëve madhorë të ndëshkuar nga rregjimi i kohës, heqja e gradave në ushtri, ishte një kthim i reparteve e njësive të ushtrisë, si brigata të kooperativave bujqësore.
Po çfarë i thonë Dilaverit (Radëshit) atë ditë që e arrestuan? Para nesh është një kriminel i fshehur dhe si i tillë duhet dënuar. Në emër të popullit, të arrestohet dhe të çohet në Burgun e Burrelit dhe jo në atë të Memaliajt, se atje ne na ndyn klasën tonë punëtore. (Duartrokitje nga salla kur i vunë hekurat kolonel Dilaver Radëshit).
Rrëfim i ushtarakëve të dënuar
Dilaver Radëshi: "Dy oficerë të Sigurimit, që më kishin ndenjur në të djathtë e në të majtë, më kapën përnjëherë dhe më vunë në duar hekurat. "Mbledhja mbyllet",- thanë ata, dhe më çun në hetuesi... Ata tipa hetuesish të diktaturës ishin katilë dhe "formalitetet" i bënin, por nga punët e mia nuk merrnin vesh".
Skënder Malindi: "Dilaveri (Radëshi) diskutoi për gradat dhe ishte kundër atij lloj reformimi. Ai doli hapur dhe e pësoi që kur u lidhëm fort me Kinën. Ne e ndienim që edhe në ushtrinë tonë nuk do kishim grada, se nuk kishte Kina. Dhe ashtu ndodhi, u hoqën gradat, u bë edhe uniforma kineze, pra ne u bëmë kinezë në mes të Evropës. Kaluam nga ekstremi në ekstrem, nga uniforma ruse që e kishim, e bëmë kineze".
Alfred Moisiu: "...Si e ndjemë veten pa grada!? Ka qenë 1 maji i vitit 1996. Në darkë ne ishim me grada, në mëngjes duhet të dilnim pa grada. Të them të drejtën, atë ditë maji m'u duk vetja si një dhi e zgjebosur. Më dukej se të gjithë më shikonin dhe në fakt më shikonin, sepse u transformuam jo vetëm me heqjen e shenjave dalluese, por ndryshoi edhe uniforma, ndryshoi edhe kapela dhe u bëmë si karrocierë. Heqja e gradave ishte një poshtërim që iu bë Ushtrisë Shqiptare. Nëse themi që Shqipëria ishte e izoluar, Ushtria Shqiptare ishte e burgosur".
Zboret. "I gjithë populli ushtar!"
Alfred Moisiu: "Duhet theksuar një gjë, që çdo ushtri stërvitet. Kjo kuptohet. Edhe sot ushtria jonë stërvitet, por ato stërvitje, me grandomaninë e asaj kohe, ishin shpenzime shumë të mëdha dhe ato bëheshin për të krijuar një efekt politik në popull që Shqipëria rrezikohej. Stërvitjet e asaj kohe jo vetëm që ishin tepër të lodhshme, por, siç flasin faktet, kemi pasur edhe viktima të panevojshme nga marshimet e gjata nga kushtet e vështira të terrenit, stërvitje që nuk ishte e nevojshme të zhvilloheshin në atë shkallë".
Nënkolonel Verdi Take: (Shef i Qendrës së Fotofilmit të Ushtrisë) "Qendra e Fotofilmit të Ushtrisë, ka një arkiv të pasur fotografik, me qindra akte filmi të realizuara nga viti 1965 deri në vitin 1975. Kam qenë fillimisht redaktor, pastaj regjisor dhe më pas shefi i sektorit. Me këtë dua të them se e njoh mirë tematikën e filmave të realizuar gjatë shumë viteve. Kam përpara në monitor një filmim të asaj kohe, të atyre alarmeve të kota, terrorizuese për popullsinë. E ndjekim. Është dhënë alarmi "Rrezik ajror". Punëtorët e fabrikës lënë punën, lënë tornot dhe vrapojnë disa në strehime, disa në tarraca pranë mitralozave kundërajrorë. Ne të filmit u thoshim: "Pak më të qetë", "Qesh para aparatit të filmimit". Ç'të qeshte ai apo ajo? Ishte injektuar një stres, sepse ti jetoje gjithnjë me tmerrin e luftës, ishte një llahtar i vërtetë. Armiku, thuhej, na ka rrethuar dhe nga momenti në moment na kap në grykë. Tani po lexoj tekstin e një filmi të tillë dokumentar. Dëgjomëni! Armiku, pasi bën goditje të fuqishme e të njëpasnjëshme në qytet dhe në rrethinat e tij, për të dëmtuar popullsinë civile dhe ekonominë, në periferi kryen hedhjen e Desantit Ajror. Ndërkohë, efektivat hapin zjarr të pandërprerë për ta asgjësuar qysh në ajër, për të mos e lënë atë të zbresë në tokë".
1974. Goditja e gjeneralëve
...Vitet '70-të dhe më saktësisht ato 1974, janë quajtur ndryshe beteja e 13-të klasore e Partisë së Punës, një luftë mes socializmit dhe kapitalizmit. Është koha kur Partia e Punës dhe Enver Hoxha zbuluan grupin armiqësor në udhëheqjen e ushtrisë, që kishin përgatitur e do zbatonin "puçin ushtarak", me synim rrëzimin e marrjen në dorë të udhëheqjes së shtetit. Viktima të gjyqit politik (se gjyqi para togave të zeza qe farsë, pasi akuzat dhe vendimi ishin dhënë paraprakisht nga Partia), ishin pushkatimi i gjeneralëve Balluku, Dume e Çako. Ndërkohë, gjeneralë të tjerë e ushtarakë madhorë u dënuan me dhjetëra vite burgim. Mes të dënuarve ishin dhe Rrahman Përllaku, Gjeneral-Lejtnant (në pension) Hero i Popullit, ish-komandant i Divizionit të 5-të Sulmues gjatë Luftës Çlirimtare Antifashiste, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, dënuar me 25 vjet burg, në procesin e "puçit ushtarak"; Ernest Jakova, Gjeneral-Major, ish-kuadër i Luftës, ish-zëvendësdrejtor Operativ i Ushtrisë, ish-komandant i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm, i dënuar nga diktatura; Elami Hado, Kolonel, ish-kuadër i Luftës, ish-komandant i Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm, i dënuar nga diktatura, etj. Ja si e kujtojnë dhe gjykojnë të mbijetuarit atë periudhë:
Rrahman Përllaku: "Përpara se të flasim për ngjarjet e 1974-ës, duhet të kthehemi në retrospektivë që gjatë luftës. Kuadri kryesor i ushtrisë ishte pjesëmarrës aktiv i Luftës Çlirimtare Antifashiste. Ata kishin drejtuar luftën e shkallëve të ndryshme, një luftë që qe e pabarabartë, qoftë në forca, qoftë në armatim e teknikë. Nga kjo luftë e pabarabartë, por fitimtare për ne, dolën edhe kuadrot e ushtrisë së ardhshme. Këta e morën në dorë ushtrinë. Këta u shkolluan e u kualifikuan jashtë vendit. Këta e përgatitën ushtrinë.
Duke parë reputacionin e kuadrove të ushtrisë, Enver Hoxha u trembej atyre. Megjithëse kishin kohë që ishin shkëputur nga Bashkimi Sovjetik, edhe pas asaj shkëputjeje Enver Hoxha i kish dhënë dy goditje ushtrisë, ose më mirë të themi kish bërë dy spastrime në ushtri, në 1960-ën dhe më 1966-n, përsëri ai inskenoi edhe 1974-ën. Sebepin e gjeti te disa teza orientuese për të hartuar Artin tonë Ushtarak. Në Plenumin e 12-të të KQ, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, hodhën idenë që në pikëpamje ushtarake të ktheheshim në male, për armiqtë të krijojmë dy forca etj. Ata dhanë udhëzime të mëtejshme, që të përpunoheshin e të plotësoheshin ato orientime apo projekt teza për mbrojtjen dhe, pas plotësimit, të ktheheshin në teza. Këtu nis punimi i materialeve, që më pas u quajtën "Materiale të zeza". Deri në vitin 1974 ishin përgatitur 3 materiale: 2 ishin kthyer i 3-ti u plotësua dhe do t'u jepej për diskutim kuadrove. Ky material u bë, si të thuash, në 1974-ën, që ishte i panjohur (sipas vetë udhëheqjes) nga udhëheqja. Dokumentet që disponohen sot, por ne që ishim atëherë e dimë, janë të atilla që udhëzimet qenë të Enver Hoxhës, për materialet i është raportuar Enver Hoxhës, ka letërkëmbime në mes të Hysni Kapos dhe Beqir Ballukut, Mehmet Shehut dhe Beqir Ballukut. Deri në dhjetor të vitit 1973, janë dokumentet që dëshmojnë që ata i kanë parë materialet dhe kishin bërë në to edhe vërejtjet e tyre.
Kalvari ynë filloi mbi materialin e 3-të dhe ky u bë shkaku për të filluar reprezaljen mbi ushtarakët në vitin 1974. Materiali, i cili ishte parë nga Enver Hoxha, u mohua nga ai, nga Mehmet Shehu dhe nga Hysni Kapo".
Ernest Jakova: "Për të bërë zap konceptet e kuadrove të ushtrisë që ishin kundër diktatorit, ai nxori Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Çfarë ishin "Tezat e Këshillit të Mbrojtjes"? Ato ishin disa koncepte të Mehmet Shehut, të punuara sipas udhëzimeve të Enver Hoxhës. Ishin një konglomerat rregulloresh ushtarake të huaja që kishte lexuar Mehmet Shehu, të përziera me disa koncepte të kuadrove tona, sepse pa konceptet e kuadrove tona nuk mund të bëheshin ato. Tezat u paraqitën si vepër e tyre krijuese, si një evolucion për ushtrinë, me qëllim që t'i thoshim ushtrisë se jemi ne në krye dhe oficerët tuaj madhorë nuk janë gjë para ne udhëheqjes.
Në thelb, tezat e tyre për mbrojtjen qenë aventurizëm sepse parashikonin të pamundurën ushtarakisht, të pakonceptuarën teknikisht, të paarritshmen strategjikisht, ndeshjen me dy koalicionet më të mëdha e të fuqishme të kohës: NATO-n e Traktatin e Varshavës. Nëse ndodhte vërtetë lufta, fitorja në konceptin ushtarak ishte utopi.
Tezat e Enver Hoxhës për mbrojtjen ishin të pabazuara. Materiali që nuk doli, vërtetoi se tezat nuk kishin bazë dhe ishin një dështim i ideve të Hoxhës dhe Shehut dhe të vetë Plenumit të Komitetit Qendror.
Materiali, pas tre vjet pune, u la mënjanë, si pa vlerë. Këtë e bënë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të cilët e dinin se konceptet e tyre nuk dolën me sukses, por ato nuk mund të pranonin e të thoshin se kjo jona dështoi, por e lanë disa kohë çështjen në heshtje. Pastaj, papritur, del problemi në Komitetin Qendror, në vitin 1974. Aty thuhet se Beqir Balluku ka bërë një material në kundërshtim me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes...
(Vijon nesër)
Më 1 maj 1966 u dha urdhri, e në mëngjezin e së nesërmes, të gjithë ushtarakët nisën punën pa paleta mbi supe. Sipas urdhrit të dhënë, në ushtrinë shqiptare, hiqeshin gradat. Kjo, sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe rrëfimeve të ushtarakëve madhorë të kohës, ishte një goditje e rëndë për ushtrinë e mbrojtjen e vendit.
Është quajtur "Plenumi i zi", Plenumi i KQ të PPSH që kryqëzoi Beqir Ballukun e që përgatiti të njëjtin fat për Petrit Dumen, Hito Çakon (të tre u pushkatuan) e për shumë gjeneralë e ushtarakë madhorë që u dënuan me burgime të gjata.