Misteri i një vrasjeje 10 vjet më parë në kufirin maqedonas
SHËNIM I REDAKTORIT: Materiali i mëposhtëm është përgatitur nga gazetari i "Shekullit" në Pogradec, Bardhyl Berberi, pas një letre në redaksinë e "Kontakt" nga Flora dhe Sali Yzellari, prindërit e Erigertit 12-vjeçar, vrarë 10 vjet më parë në kufirin shqiptaro-maqedonas, në rrethana shumë të dyshimta.
Po mbushen 10 vjet nga ngjarja tragjike e vrasjes së 12-vjeçarit, Erigent Yzellari nga Hudënishti i Pogradecit. Fëmija u vra 150 m në thellësi të tokës së shtetit fqinj nga policët maqedonas. Nëna e 12-vjeçarit, Flora, me dhimbje e risjell këtë ngjarje tragjike në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, në drejtim të tunelit të Qafë-Thanës.
***
Ka qenë pranvera e vitit 1998. Gjashtë fëmijë pogradecarë nga Hudënishti ishin pajtuar nga kontrabandistë mishi. Tufat e lopëve që do t'i kalonin matanë kufirit, këta, ia besuan këtyre fëmijëve të vegjël, të cilëve u kishin premtuar se pasi të çonin tufat e lopëve në afërsi të fshatit maqedonas Frëngovë (ku i prisnin trafikantët maqedonas), do të merrnin secili nga 1000 lekë të reja. Ka qenë ora 6 e 20 minuta e mëngjesit kur papritur vetëm 150 m brenda vijës së kufirit maqedonas, në afërsi të tunelit të Qafë -Thanës, janë dëgjuar të shtëna armësh automatike. Një prej 6 fëmijëve, ra në tokë i mbuluar nga gjaku. Mes plumbave të shumtë tre prej fëmijëve kanë mundur me vrap të largohen ndërsa dy të tjerë Elton Abasllari dhe Irini Torollari kanë shtangur përballë kufomës së shokut të tyre të mbytur në gjak. Eltoni, tregon se ca minuta më pas, një nga ushtarët maqedonas me uniformë, mallkoi në gjuhën shqipe shokët e tij, duke i rënë kufomës sipër duke qarë. Ishte ushtar shqiptaro -maqedonas nga Gostivari. 7 vjet më pas ai do të ishte në Hudënisht për të pirë kafe pranë familjes Yzellari për Erigertin e vogël.
***
Flora, nëna e Erigertit, tregon misteret e tjera të kësaj ngjarjeje. Trupi është kthyer në orën 18 të pasdites (dhjetë orë pas vrasjes) në doganën e Qafë-Thanës nga policia maqedonase. Mosha dhe identiteti i fëmijës nuk përputheshin me ato që shkruheshin në proces-verbal. Ka pasur një ceremoni mortore fetare. Hoxha i fshatit që ka larë kufomën e vogëlushit Yzellari (sipas ritit fetar) ka dalluar se barku i fëmijës ishte pa organe të brendshme dhe ishte qepur me një fije spangoje në mënyrë primitive. Nëse kjo dëshmi është e vërtetë, ku ishin organet e brendshme të Erigertit? A mos vallë arsyeja e vrasjes së tij në kufi është krejt tjetër? (Nuk është bërë ekspertiza mjeko-ligjore nga Policia e Pogradecit).
Mbrëmja solli një pamje tjetër. Stacioni maqedonas MTV2 jep lajmin se "një tufë fëmijësh me municion dhe armë në dorë u futën në tokën maqedonase për të trafikuar armë"… Saliu, babai i Erigertit, thotë se kjo alibi e sajuar i shton akoma më tepër misteret e kësaj ngjarjeje.
Edhe pse kanë kaluar 10 vjet, ende ngelen shumë mistere rreth kësaj ngjarjeje. "Pse ma vranë djalin, si mbiu menjëherë në vendngjarje një auto-ambulancë? Çfarë bënë 10 orë me kufomën e djalit, nga ora 6 e mëngjesit, deri në orën 18 të pasdites? Këto janë pyetjet që vazhdojnë të bëjnë prindërit e Erigertit të ndjerë. Një proces gjyqësor ka nisur tashmë në Gjykatën e Ohrit për këtë ngjarje. Avokati mbrojtës i familjes Yzellari, Bekim Kaba thotë se kjo ngjarje misterioze duhet të zbardhet deri në detaje.