Ngjarja në "Sami Frashëri" dhe një histori e 1968-ës
Më erdhi keq për atë çfarë ndodhi në shkollën e mesme "Sami Frashëri" në Tiranë. Tre nxënës të kësaj shkolle, hyjnë fshehurazi në shkollë, në drejtori, marrin dhe zhdukin disa regjistra. Kam një mendim krejt të kundërt, me të gjithë ata që shpejtuan ta publikojnë dhe t'i japin përmasat e një krimi. Unë jam i mendimit se në këtë shkollë, për këtë rast përgjegjësia është edhe e mësuesve, po aq sa edhe e drejtuesve të saj, që shpejtojnë të lajnë duart, si dhe e policisë dhe medias.
***
Mendoj se e gjithë veprimtaria e nxënësve në shkolla, (këtu kam parasysh aktet negative) i nënshtrohet rregulloreve, por duke ruajtur konspiracionin vetëm brenda shkollës, pra të mos bëhen publike. Ruajtja e personalitetit të nxënësve në shkollë, është një detyrë e vetë personelit mësimor dhe e drejtorisë. Mos harroni që një trimëri adoleshentësh apo dhe një akt i pamenduar i tyre, po të trajtohet në këtë mënyrë siç u trajtua ky, mund të shkaktojë trauma dhe pasoja të pariparueshme për gjithë jetën e këtyre nxënësve apo familjeve të tyre. Unë e di që ata janë madhorë dhe të përgjegjshëm edhe para ligjit, por në ambientet e shkollës ata janë pjesë e një sistemi të tërë vlerash dhe përgjegjësish. Më kuptoni drejt, këtu nuk flitet për krime të rënda, por për një akt të dënueshëm që ndodh brenda mureve të një shkolle dhe aq. Ka nxënës të mirë, por ka dhe nxënës të dobët në mësime. Ka nxënës të sjellshëm, por ka dhe me probleme në sjellje. A dimë t'i klasifikojmë e t'i ndihmojmë ata dhe t'i mbajmë larg, sa më larg krimit? Në këtë mënyrë, si u veprua? Mendoj se në këtë rast, ne po dërgojmë në prehrin e krimit tre adoleshentë, me duart tona. Kjo nuk duhet lejuar. Shkolla ka Rregulloren e saj dhe secili është i detyruar ta zbatojë atë dhe të përgjigjet para saj. Kjo për mua do të thotë se ata nxënës morën dënimin që parashikon Rregullorja, Ligji i shkollës, pra e morën një dënim. Policia pse duhej thirrur? Media përse duhet të jepte fotot e tyre sikurse vepron rëndom me kriminelë, trafikantë etj?
***
Më kujtohet që në vitin 1968, në këtë shkollë, disa maturantë hapën Drejtorinë nga ku morën e kopjuan tezat e provimit të maturës. Pasi ky veprim u zbulua këta maturantë u dërguan një vit për t'u edukuar në gjirin e klasës punëtore, (në punë prodhuese, siç thuhej atëherë), por u transferuan nga ajo shkollë edhe drejtori dhe mësuesi kujdestar. Nxënësit, pasi kryen këtë dënim u kthyen, dhanë provimet dhe vazhduan shkollën e lartë sipas kërkesave dhe kushteve të secilit dhe sot disa prej tyre janë edhe figura publike. Askush nuk i procedoi apo ndoqi penalisht ata, edhe shtypi nuk u prononcua me hollësi ndaj këtij akti.
Në një shkollë në Itali pati një ngjarje të tillë: Një nxënës u gjet duke marrë drogë në banjot e shkollës. Drejtuesit e shkollës menjëherë njoftuan policinë dhe njëkohësisht shpallën përjashtimin e tij nga shkolla. Babai i nxënësit ju drejtua gjyqit për cenim të personalitetit të fëmijës. Gjyqi u fitua. Gjyqtari i dha të drejtë drejtuesve të shkollës për masën e përjashtimit brenda rregullores së shkollës, por e dënoi atë për publikimin e aktit të nxënësit dhe publikim konsideronte edhe njoftimin e policisë. Mendoj se është e drejtë.
Ngjarja në "Sami Frashëri" ka në brendësinë e vet mjaft probleme që mbart shkolla, koha e shoqëria dhe që kërkon një shtjellim të kujdesshëm e të gjerë. Të shpejtojmë t'i shpëtojmë ata fëmijë.