Topi: Shembulli i amerikanëve, të mësojmë të pranojmë humbjen
Tiranë: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka qenë sot i ftuari i ambasadorit Xhon Withers për të festuar fitoren e Barak Obamës si President i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Topi ka vlerësuar mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në SHBA, duke e vënë theksin tek fjala përshëndetëse e McCain i cili pranoi humbjen dhe madje u shpreh se do të ndihmonte Obamën në drejtimin e SHBA. Sipas Topit, Amerika është shembulli më i mirë i demokracisë në botë.
Pas takimit me ambasadorin ai iu përgjigj interesimit të medias, duke u shprehur se “gjëja më impresive ishte fjala e McCain menjeherë pas marrjes së lajmit se zgjedhjet i ka fituar Obama. Një nga fjalimet më të ndjera dhe më të luajale të garës së zhvilluar në SHBA”. Më tej, Presidenti i Shqipërisë, Topi vlerësoi zgjedhjet e lira dhe të ndershme në shtetin-kontinent dhe tha se ky është një leksion i madh për Shqipërinë. “Të gjitha leksionet e mira vijnë nga SHBA dhe kryesor është leksioni i madh i demokracisë”, tha ai ndërsa shtoi se “amerikanët janë lider botëror për zhvillimin e demokracisë kudo në botë”.
Ndërsa pyetjes se çfarë mund të ndryshojë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, pas ardhjes së Obamas në Shtëpinë e Bardhë, Topi tha se “marrëdhëniet tona kanë qenë dhe do të jenë të shkëlqyera ndaj nuk mund të të përdorim fjalë krahasuese”.