E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH letër qeverisë: “Ulni shpenzimet e rrugës Rrëshen-Kalimash”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
KLSH ka reaguar edhe një herë tjetër për shkeljet e konstatuara gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Këtë herë Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar një letër ekzekutivit ku i kërkon uljen e kostos për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Në një kohë kur Gjykata e Lartë ka pezulluar çështjen për hetimin e ish-ministrit të Transportit, Lulzim Basha, për abuzimet e dyshuara me rrugën Durrës-Kukës, kjo vepër publike vijon të mbetet ndër zërat kryesorë të shpërdorimit të fondeve publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i është drejtuar me një letër Qeverisë, por edhe Ministrisë së Punëve Publike si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, në të cilën u kërkon që të gjejnë mirëkuptim për të ulur kostot e ndërtimit të kësaj vepre. KLSH në raportin e fundit për vitin 2009 ka bërë 3 propozime: së pari, ai kërkon që të rishikohen çmimet për njësi të rrugës, pasi ato tejkalojnë nga 20 deri në 100% vlerën që aplikon Drejtoria e Rrugëve. Së dyti, duhet parë volumi i punimeve që është parashikuar, pasi është i ekzagjeruar, për shkak të mungesës së projektit. Së treti, institucioni kontrollues sugjeron që kompania “Bektel-Enka” të paguajë taksat dhe tatimet, në përputhje me ligjet shqiptare. Sipas KLSH, duhet të rishikohet kontrata, në të cilën është përfshirë një klauzolë që përjashton nga detyrimet fiskale këtë kompani. Të tria propozimet kanë si qëllim uljen e kostos së rrugës, por KLSH vëren se sugjerimet nuk janë marrë në konsideratë. Kostoja e rrugës Durrës-Kukës mbetet një debat i ashpër si për ekspertët edhe për politikën. Kontrolli i Lartë i Shtetit pritet të raportojë në Kuvend lidhur me veprimtarinë e tij gjatë vitit 2008. Puna e KLSH është përmbledhur në dy raporte. Një prej tyre u është kushtuar vetëm dëmeve dhe parregullsive në rrugën Durrës-Kukës.
Raporti
Sipas raportit të KLSH, meqenëse gjatë zbatimit në praktikë kanë lindur keqkuptime, për sa i përket kryerjes së mbikëqyrjes dhe kolaudimit të punimeve të ndërtimit, për përmirësimin e shërbimit të supervizionit në ndërtimin e rrugëve, KLSH-ja i ka propozuar Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për të bërë harmonizimin e legjislacionit në fuqi, përkatësisht të udhëzimeve të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në udhëzimin nr 3 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, “Për miratimin e rregullave të prokurorimit publik” dhe “Zhvillimi i procedurës së kërkesës për propozime, blerje me vlera të vogla, shërbimet e konsulencës, konkursi i projektimit”. Për këtë propozim Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nuk ka dërguar përgjigje dhe nga verifikimi rezulton i pazbatuar. Ky raport përbën edhe një provë të fortë për Prokurorinë, pasi tashmë Kontrolli i Shtetit ka vërejtur dhe ka vënë në dukje shumë shkelje duke filluar që nga konsulenca, e cila në bazë të hetimeve të Prokurorisë rezultoi se ishte zgjedhur e njëanshme nga Basha e deri tek zbatimi për njësi rruge.

Prokuroria në pritje të KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit është e vetmja mundësi që i ka ngelur Prokurorisë për të rihetuar Lulzim Bashën. Edhe pse nga KLSH kanë dalë zëra për shkelje të konstatuara në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ende ky institucion nuk ka ankimuar kallëzim për shkeljet e bëra. KLSH, mund të nxjerrë në dritë të tjera shkelje, pasi inspektimi i bërë nga ky institucion është shtrirë edhe pas mbylljes së hetimeve të Prokurorisë si dhe ka analizuar buxhetin e qeverisë më në detaj. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë me dije se mundësia e vetme për rinisjen e hetimeve është kallëzimi i KLSH. Sipas burimeve, organi i akuzës, aktualisht nuk ka asnjë provë të re pasi të gjitha provat e mbledhura gjatë hetimeve u dorëzuan në gjykatë për nisjen e procesit gjyqësor.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›