E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrahin dy gjimnaziste, arrestohen

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Dy gjimnazistet kishin denoncuar në komisariatin Nr. 1 dy djemtë, sepse 20-vjeçarët i ngacmonin. Pasi kanë mësuar për denoncimin, Kuqi dhe Panavia rrahën adoleshentet

Rrahin në oborrin e shkollës dy adoleshente pasi këto të fundit i kishin denoncuar në polici, sepse dy ditë më parë i kishin ngacmuar. Dy shokët, sapo kanë mësuar për denoncimin në Komisariatin nr.1 në adresë të tyre, në gjendje të dehur kanë hyrë në oborrin e shkollës “Ismail Qemali” dhe kanë rrahur dy gjimnazistet. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të ndaluar të dyshuarit, por kanë hasur në rezistencën e tyre. Kristin Kuqi, 20 vjeç, dhe Gerti Panavia, 20 vjeç, të dy banues në Tiranë, janë vënë në pranga dhe do të përballen me pesë akuza.
Ngjarja
Dy vajza adoleshente janë bërë pre e dhunës fizike nga dy djem, të cilët i kishin ngacmuar pak ditë më parë. Gjithçka ka ndodhur pranë shkollës “Ismail Qemali”, në bulevardin “Zhan d Ark”. Dy adoleshente kishin denoncuar në polici 20-vjeçarët nga Tirana, se i kishin ngacmuar. Këta të fundit sapo kanë mësuar për denoncimin kanë shkuar në shkollën e vajzave dhe i kanë rrahur barbarisht para gjimnazit. Gjimnazistet e keqtrajtuara, Klodiana S. e Vanesa P., 17 vjeçe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dy agresorët janë vënë në pranga.
Arrestimi
Bëhet fjalë për dy 20-vjeçarë, të cilët kanë kundërshtuar edhe punonjësit e policisë, gjatë momentit të shoqërimit. Burimet policore të kryeqytetit shpjeguan se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1 u krye arrestimi i Kristin Kuqit, 20 vjeç, Gerti Panavisë, 20 vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye, sepse dy ditë më parë, rreth orës 16.00, te shkolla "Ismail Qemali", për motive të dobëta, kanë goditur dhe keqtrajtuar Klodiana S. e Vanesa P., 17 vjeçe. Burime nga policia bëjnë të ditur se këta dy persona, përgjatë shoqërimit për në ambientet e komisariatit, kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë goditur për shkak të detyrës edhe dy punonjës policie të Komisariatit Nr. 1. U kryen veprimet procedurale, ndërkohë që materialet do t i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Dëmtimeve të tjera me dashje", "Prishje e qetësisë publike", "Kundërshtim të punonjësit të policisë", "Kanosje për shkak të detyrës" dhe të "Fyerjes për shkak të detyrës" në bashkëpunim.

Të arrestuarit
Kristin Ali Kuqi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Gerti Gëzim Panavia, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Akuzat
"Dëmtime të tjera me dashje"
"Prishje e qetësisë publike"
"Kundërshtim të punonjësit të policisë"
"Kanosje për shkak të detyrës"
"Fyerje për shkak të detyrës", në bashkëpunim.

Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›