Topi dekreton buxhetin e vitit 2009
Presidenti Bamir Topi ka hedhur dje firmën mbi buxhetin e vitit të ardhshëm. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur nxjerrjen e katër dekreteve, njëri prej të cilëve është ai i buxhetit. "Në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës, dekretoj shpalljen e ligjit nr. 10.025, datë 27.11.2008 "Për buxhetin e vitit 2009"", thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë Presidenti Topi ka firmosur edhe shpalljen e ligjit për një ndryshim në ligjin "Për barrën siguruese", "Për ratifikimin e "Marrëveshjes dhe Protokollit bashkëlidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Federal Zviceran për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave" si dhe "Për ratifikimin e "Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për hapjen e zyrës lokale gjermane për bashkëpunimin për zhvillim në Shqipëri". Me gjithë klimën e tensionuar mes kreut të shtetit dhe qeverisë, buxheti i vitit të ardhshëm pas botimit në fletoren zyrtare pritet të hyjë në fuqi në ditët e para të vitit të ri, duke mos u bërë kështu pengesë në lëvrimin e fondeve për investimet apo edhe për pagat e pensionet. Dy ditë më parë Kryeministri Berisha sulmoi ashpër Presidentin për dekorimin e një prokurori, i cili gjatë kohës së diktaturës kishte firmosur dënimin me vdekje për një "martir të demokracisë".