Pastrimi i parave, Ina Rama raporton te Berisha
ADI SHKEMBI
Pas përplasjes mes Qeverisë dhe Prokurorisë, Kryeministri Berisha ulet së bashku me Ina Ramën në një mbledhje të Komitetit Kombëtar të bashkërendimit të luftës kundër pastrimit të parave. Kërkesa e organit të akuzës për të marrë si të pandehur ish-ministrin e Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, bëri që maxhoranca të ashpërsojë gjuhën ndaj kryeprokurores Ina Rama. Ajo u akuzua nga shumica si e varur politikisht nga PS-ja, ndërkohë që akuzat e Prokurorisë u konsideruan si të formuluara në zyrën e kreut të PS-së, Ina Rama. Një vit më parë, kreu i Ekzekutivit e ka quajtur kryeprokuroren e re si Silvia Konti e drejtësisë shqiptare, ndërkohë që pas hetimit të disa dosjeve ku janë të implikuar ministra të kabinetit, maxhoranca ka ndryshuar qëndrim. Së fundi, Prokuroria nisi një hetim për pastrim parash ndaj biznesmenit Damir Fazlliç.
Takimi
Ndërkohë dje kryep-rokurorja ishte përballë kreut të qeverisë në mbledhjen për pastrimin e parave, ku drejtuesit e disa institucioneve raportuan mbi masat e marra në zbatim të Programit Kombëtar "Për kontrollin e lëvizjes së monedhës cash në Republikën e Shqipërisë". "Gjithashtu u diskutua mbi bashkërendimin ndërinstitucional në luftën kundër pastrimit të parave si dhe në mundësinë e ndërhyrjes në bazat e të dhënave të organeve shtetërore dhe regjistrat publikë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të programeve të binjakëzimit", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Gjatë këtij takimi, drejtuesit e institucioneve që po bashkëpunojnë në luftën ndaj pastrimit të parave u ndalën edhe në nevojën e ushtrimit të veprimeve në këtë luftë me transparencë të plotë dhe bazuar mbi kritere të qarta vlerësimi. Sipas njoftimit për shtyp, kreu i qeverisë u kërkoi pjesëmarrësve angazhim të madh në këtë luftë të vështirë, duke e cilësuar pastrimin e parave një fenomen tejet të rrezikshëm, një autostradë të krimit. Kryeministri theksoi se krimi nuk luftohet me sukses pa një luftë të vendosur ndaj pastrimit të parave. "Kryeministri shtoi se ashtu si për luftën kundër krimit të organizuar, edhe ndaj fenomenit të pastrimit të parave duhet adoptuar toleranca zero. Në mënyrë më specifike, pjesëmarrësit diskutuan mbi fuqizimin e strukturave që luftojnë pastrimin e parave, trajnimin e stafit bazuar mbi ekspertët dhe eksperiencën më të mirë ndërkombëtare, si dhe fuqizimin e rrjetit të IT-së dhe përdorimin e tij sa më gjerësisht në luftën kundër pastrimit të parave", thuhet më tej në njoftimin për shtyp.