KMDLNJ: “Termokosi” i ngrin konsumatorët
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët nga ana e “Termokos”-it e konsideron veprim të papërgjegjshëm të kësaj kompanie, ndërsa kërkon që institucionet komunale dhe ato qendrore të merren më seriozisht me këtë problem.
Sipas KMDLNJ-së, menaxhmenti i “Termokosit” është duke u munduar që keq menaxhimin ta mbulojë me ndërprerje të ngrohjes duke u arsyetuar me mungesë të lëndës djegëse.
“Kompania në fjalë, gjatë gjithë këtyre dy vjetëve të fundit është duke u sjell me qytetarët e Prishtinës në mënyrë të papërgjegjshme dhe joprofesionale. Së pari, kjo kompani kishte kërcënuar me rritje të çmimeve për 50 për qind, gjë që ishte krejtësisht e pajustifikueshme, me ndërprerje kolektive dhe tani me kolaps total të ngrohjes”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së, e cila përkujton se çmimet për ngrohje në Prishtinë janë më të lartat në rajon dhe më gjerë.
KMDLNJ mendon se një pjesë të fajit e ka edhe komuna e Prishtinës dhe institucionet qendrore, për shkak se nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në lirimin e lëndëve djegëse nga taksat doganore dhe taksat tjera.
Për më tepër, KMDLNJ shpreh habinë me mos përgatitjet e ngrohtores së qytetit të Prishtinës për pritjen e sezonit të dimrit dhe me sjelljen injoruese të menxhmentit të kësaj kompanie me konsumatorët, gjë e cila sipas KMDLNJ-së kalon çdo normë dhe etikë morale.
“Ky menaxhment sillet me papërgjegjësi dhe jo transparencë karshi konsumatorit. Nuk është parë asnjë edhe një angazhim konkret i kësaj kompanie për të reformuar politikat e sajë të biznesit. Bazuar në të gjitha këto KMDLNJ kërkon që institucionet komunale dhe ato qendrore të merren më seriozisht me këtë problematikë. Është momenti i fundit që të mendohet për gjetjen e alternativave për ofrimin e shërbimit të ngrohjes për qytetarët që kanë kyçje nga sistemi i ngrohjes së qytetit të Prishtinës”, thuhet në reagim.
KMDLNJ bën me dije opinionin se “Termokosi”, përveç inkasimit, është përfitues i donacioneve të huaja dhe mjeteve nga Buxheti i Kosovës.