E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalët serbë - pjesë e Qeverisë së Kosovës

Nga Express më 28 dhjetor 2010 në ora 14:55

Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, në një intervistë për BBC-në ka shprehur gatishmërinë e subjektit të tij politik për të vazhduar koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi edhe në mandatin e dytë.

“Një përvojë e mirë që e kemi pasur në mandatin e shkuar në institucionet e Kosovës dhe me partitë që kanë qenë në qeverisje, gjithsesi se do të na ndihmojë shumë që eventualisht të jemi pjesë edhe në qeverisjen e ardhshme. Në çdo rrethanë, ajo që është e rëndësishme dhe shumë e qartë për Partinë e Pavarur Liberale që e kryesoj unë, është përcaktimi ynë që të mbështesim parimet politike që mbështetën në vlerat evropiane. Mandati ynë është që të përfaqësojmë dhe të artikulojmë problemet e bashkësisë serbe dhe gjithë të tjerëve që jetojnë në Kosovë. Unë besoj që kemi plot arsye që të pranojmë të jemi pjesë e qeverisë së ardhshme në Kosovë”, tha Petroviq për BBC’në.

Partia e Pavarur Liberale, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, është subjekti politik serb që ka marrë numrin më të madh të votave. Sipas kryetarit të saj, Slobodan Petroviq, kjo parti mund të përfaqësohet në Parlament me nëntë deputetë. Petroviq shfaqi shpresën se edhe subjektet tjera politike serbe, do të pranojnë të hyjnë në këtë koalicion.

“Ajo që kemi marrë vesh deri me tash nga informatat jo zyrtare dhe nga rezultatet preliminare, Partia e Pavarur Liberale, i ka siguruar nëntë vende në parlamentin e Kosovës dhe unë besoj se pas numërimit të votave me kusht, do ta fitojmë edhe një. Ky është një rezultat shumë i mirë për partinë tonë. Në anën tjetër, unë pres që edhe kandidatët tjerë që kanë fituar në këto zgjedhje të na bashkohen dhe ta gjejnë vetën e tyre në partinë tonë, kështu që unë besoj se grupi parlamentar i Partisë Liberale Serbe do të ketë deri në 15 deputetë, duke përfshirë këtu edhe deputetë joserbë”, theksoi ai.

Duke komentuar raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për trafikim të organeve të civilëve serbë, Petroviq tha se çdokush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta.

“Ne kemi pasur një qëndrim që e kemi bërë publik. Këtu fjala është për akuza serioze, por në këtë rast, ne më së paku duhet të vihemi në anën e atyre njerëzve të cilët thonë se çdo kush është i pafajshëm deri sa të mos dëshmohet e kundërta. E di që nuk është lehtë të flitet për gjëra të tilla. Ne nuk duam të paragjykojmë asgjë sepse situata vetë për vete është e pakëndshme. Ne nuk duam ta rëndojmë situatën edhe më shumë. Ne edhe në të shkuarën kemi pasur akuza të tilla, të cilat më vonë kanë rezultuar se nuk kanë qenë bash qysh janë dhënë. Mund të them se edhe fakti që presidenti serb Boris Tadiq, ka pasur një vlerësim të ngjashëm, e lehtëson shumë edhe pozicionin tonë për këtë çështje të ndjeshme”, përfundoi ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›