KMDLNJ: Kriminelët të sillen para drejtësisë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ngrenë padi ndaj aktorëve të dhunës në veri dhe të shpallin persona të padëshirueshëm politikanët nga Serbia që nxitën dhunë në Kosovë.
Në një komunikatë për media, KMDLNJ kërkon që këta politikanë në asnjë mënyrë apo rrethanë nuk duhet lejuar të futen në Kosovë.
KMDLNJ shpreh brengosjen me rolin që është duke luajtur misioni i EULEX-it në Kosovë, i cili me vetëdije është duke u bërë pengesë për sigurinë në Kosovë, në vend që të jetë e kundërta.
“EULEX ka qenë selektiv në veprime, i anshëm dhe me veprimet e tij ka kontribuar në ngritjen e tensioneve në Kosovë. Të gjitha faktet po tregojnë që ky mision ka qenë frymëzues i kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të Kosovës. Si mund të jetë ndryshe kur në portat kufitare 1 dhe 31 kanë qenë të vendosur policë rumunë të EULEX-it. Shembuj të kontrabandës të ushtruar nga pjesëtarë të këtij misioni nuk janë të paktë. Le të përkujtojmë rastin e policëve rumunë në kufirin me Maqedoninë”, thuhet në deklaratë.
KMDLNJ kërkon që të kriminelët që vranë dhe plagosën policë, që terrorizuan banorët e pjesës veriore të Kosovës të hetohen nga institucionet e Kosovës.
Ngritja e padive penale ndaj Goran Bogdanoviqit, Dragisha Milloviqit, Sllavisha Ristiqit dhe kriminelëve të tjerë është mbrojtja me mirë për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës, përfundon deklarata.