LDD: Kosova po digjet, LDK po organizon dasmë
Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), nëpërmes një komunikate shtypi, ka reaguar pas raportimeve se e tërë anëtarësia e kësaj partie në Viti ka kaluar në Degën e LDK-së.
"Në kohën kur LDK po kalbet nga brenda, e një pjesë e shtetit të Kosovës po digjet nga fashizmi serbomadh, LDK organizon dasmë mashtruese në Viti, gjoja se e tërë LDD e Vitisë ka kaluar në LDK", thueht në komunikatën shpërndarë medieve.
LDD vlerëson se brenda saj, pas mbajtjes së Këshillit Kombëtar dhe pas vizitës në teren të degëve më të mëdha të saja në Kosovë dhe mërgatë, autoriteti i LDD-së në teren është më i lartë se asnjëherë më parë. "Dështimet më të mëdha të LDD-së në zgjedhjet e fundit parlamentare ishin pikërisht në Viti për shkak të pazarllëqeve të pista të udhë heqësisë së Degës në Viti".
LDD fton anëtarësinë e vet në Viti që të ngelë e qetë dhe në kursin politik dhe kombëtar të LDD-së, dhe se shumë shpejt do të zgjidhet kryesia e re e degës së LDD-së, ku do të jetë e pranishme edhe udhëheqja më e lartë e LDD-së.