Kurteshi: Kushtetutshmëria të zbatohet në tërë vendin
Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi, e cilëson vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionalizimin e plotë të institucioneve shtetërore si parakusht për gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në një deklaratë të lëshuar për shtyp nga Zyra e Avokatit të Popullit, respektimi i të drejtave të njeriut cilësohet të jetë i pandashëm nga zbatimi i ligjshmërisë për mbrojtjen e jetës, pronës dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Avokati i Popullit shpreh keqardhjen e thellë për vrasjen e policit Enver Zymberi e plagosjen e disa të tjerëve dhe kërkon me këmbëngulje që vrasësit dhe të gjithë personat e tjerë të cilët përdorin dhunë të pajustifikueshme apo akte kriminale për arritjen e çfarëdo qëllimi, të vihen para drejtësisë”, thuhet në deklaratën shpërndarë medieve.
Avokati i Popullit i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë me fuqi ekzekutive në Republikën Kosovës, të vazhdojnë përpjekjet e tyre për zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit.
“Përdorimi forcës të bëhet vetëm në rastet kur është e domosdoshme, sipas parimit të përpjesëtueshmërisë dhe si qëllim sipëror të ketë sigurimin e jetës, pronës dhe të drejtave themelore të njeriut garantuara me Kushtetutë dhe ligje”, thuhet në deklaratë.