KMDLNJ kritikon deputetët për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar
Prishtinë - KMDLNJ kritikon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkak se kanë miratuar 50 ligje që burojnë nga pakoja e Ahtisarit me një procedurë të përshpejtuar, gjë që siç theksohet, "kanë shkelur edhe Rregulloren e punës" dhe se nuk kanë qenë "transparentë para qytetarëve të Republikës së Kosovës". Nëpërmjet një reagimi KMDLNJ pohon se ligjet janë miratuar thuaja pa asnjë shqyrtim dhe se kjo "tregon për jo seriozitetin e papërgjegjësinë e të zgjedhurve të popullit". "Është shumë e qartë që në rrethanat e krijuara kur këto ligje nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe aktet e tjera të larta juridike paraqitet si nevojë imediate rishqyrtimi, gjithashtu me procedurë të përshpejtuar i këtyre ligjeve dhe harmonizimi me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet që përmban ajo", thekson në këtë reagim KMDLNJ dhe "pyet Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe deputetët e respektuar nëse do t'i vijë një herë fundi miratimit të ligjeve nga pakoja e Ahtisarit dhe sa duhet të jetë numri i ligjeve që do të miratohen nga kjo pako?!" Me anë të këtij reagimi, "KMDLNJ kërkon që sa më parë që të jetë e mundur të rishqyrtohen ligjet e miratuara me imponim dhe shantazhim politik dhe që ligjet në të ardhmen të miratohen në përputhje me proceduarat e parapara". Gjithashtu KMDLNJ "shpreson që më në fund deputetët e parlamentit të Kosovës do të vetëdijesohen, në të kundërtën do të bëhen pjesë e përgjegjësisë për shkeljen e ligjeve që duhen t'i mbrojnë vetë ata", thuhet në fund të këtij reagimi të bordit të KMLNJ-së, të nënshkruar nga akad.prof.dr. Pajazit Nushi. QIK/Start