KMDLNj kërkon drejtësi dhe kërkimfalje për viktimat e 10 shkurtit
Prishtinë, 10 Shkurt NOA Sot më 10 shkurt
2010 bëhen tri vite kur kontigjenti rumun i policisë së UNMIK-ut në protesta
krejtësisht paqësore të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje vrau dy protestues
paqësorë, Arben Xheladinin dhe Mon Balajn si edhe plagosi rëndë dhe lehtë mbi
80-të protestues paqësorë.
Pas këtij ekzekutimi klasik të protestuesve
paqësorë dhe përpjekjes për vrasje të lirisë së fjalës dhe të drejtës për të
protestuar, policia e UNMIK-ut, me urdhër politik, pa asnjë dyshim filloi
ndjekjen (gjuetinë) kundër protestuesve paqësorë dhe organizoi gjyq politik
kundër Albin Kurtit pasi e mbajti me muaj të tërë, qoftë në arrest shtëpiak,
qoftë në burgjet hetuese.
KMDLNj (Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e
të Lirive të Njeriut), menjëherë e pati denoncuar këtë krim botërisht por pati
mbetur një zë krejtësisht i vetmuar, - thotë Behxhet Sh. Shala, Drejtor
Ekzekutiv.
Ai kujton edhe se KMDLNj pati kërkuar
përgjegjësi penale, politike dhe morale. Pas kësaj, afërsisht pas tetë muajve
pati reaguar edhe Amnesty International, ndërkaq që shoqëria civile e Kosovës
për kohë të gjatë pati ngelur në anën e krimit.
KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon përgjegjësi
penale për policët rumunë të UNMIK-ut dhe ata që urdhëruan këtë krim si Stiven
Kërtis, ish kreu i policisë së UNMIK-ut dhe për Stiven Shuk, ish zëvendës i
kryeadministratorit të Kosovës.
Derisa Stiven Kërtis e kalon pleqërinë diku
në Anglinë demokratike, Stiven Shuk bënë fushat zgjedhore në Kosovën
multietnike! Gjithashtu përgjegjësia penale duhet të përcaktohet edhe për
bartësit e strukturave ekzekutive të policisë së UNMIK-ut dhe asaj të Kosovës,
- thotë Shala.
Edhe pas tre vjetëve, meqë asnjëherë nuk janë
distancuar nga ai krim dhe këtë nuk e bëjnë as sot duhet të përcaktohet
përgjegjësia edhe për anëtarët e të ashtuquajturit Grupi i Unitetit.
Ata i detyrohen një kërkim falje publike
familjarëve të protestuesve të ekzekutuar dhe të gjithë atyre që kanë pësuar me
atë rast. Pas përcaktimit të përgjegjësisë duhet të zhdëmtohen të gjitha viktimat
dhe të rehabilitohen ato, - thotë Shala.
Ai vlerëson se një kërkim falje të madhe,
viktimave dhe familjarëve të atyre që u vranë në këtë protestë paqësore duhet
ta bëjnë një numër i madh i mediave, të shkruara dhe vizive të cilat, edhe pas
ekzekutimit i dënuan të vrarët dhe u rreshtuan në anën e krimit duke u bërë
kështu logjistikë e krimit.
Kurse thekson se sot, një pjesë e tyre
përpiqen ta luajnë rolin e Poncie Pilatit.
KMDLNj edhe një herë denoncon botërisht
përpjekjet e UNMIK-ut i cili, përmes zhdëmtimit të viktimave me mjete materiale
kërkon që të kenë imunitet nga përgjegjësia penale duke insistuar nga
familjarët që të heqin dorë nga ndjekja penale.
Shala thotë po ashtu se KMDLNJ kërkon nga
Institucionet e Kosovës që botërisht ta dënojnë këtë krim, të insistojnë të
rinisin hetimet në mënyrë që drejtësia të çohet në vend.
Kurse apelon: KMDLNj kërkon nga Parlamenti i
Kosovës që ta ketë si pikë të veçantë 10 shkurtin 2007, ditën kur në mënyrë të
dhunshme u shkel e drejta elementare e njeriut, e drejta e fjalës së lirë dhe
protestës paqësore. Në të kundërtën kjo do të përsëritet, mbase në formë edhe
më të dhunshme.
Në emër të së drejtës dhe shtetit ligjor këto
hetime nuk mund të konsiderohen të përfunduara. Sikur edhe hetimet e tjera për
krime të rënda, - përfundon deklarata e Shalës.
a.b/e.r/NOA