E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMDLNj viziton serbët e arrestuar ne Gazimestan

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 18:00

Përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kanë vizituar pesë serbët, e arrestuar dje nga Policia e Kosovës, gjatë manifestimit në Gazimestan.

Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Serbisë dhe ata deklaruan se kanë ardhur në Gazimestan me veturën private Renault Clio dhe se gjatë udhëtimit nuk janë provokuar nga askush ndonëse i kishin targat e Serbisë.

Të gjithë këta e mohuan se kanë sulmuar personat zyrtarë ( policët) për çka edhe janë arrestuar. Ata kanë deklaruar se janë nxjerrë dhunshëm nga vetura, se ndaj tyre është përdorur sprej dhe se janë grushtuar, pasi janë arrestuar.Të gjithë pastaj janë dërguar në stacionin policor në Obiliq ku janë deklaruar në gjuhën e tyre dhe ku janë njoftuar me të drejtat e tyre.

Pastaj janë dërguar në Qendrën për Ndalim në Prishtinë. Ata i kanë deklaruar monitoruesve të KMLDNj se sjellja e oficerëve në Obiliq dhe në Qendrën për Ndalim kanë qenë shumë korrekte.

I arrestuari Sh.GJ (1987) paraprakisht është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor sepse gjatë arrestimit i është thyer hunda dhe ka shenja të dukshme të përdorimit të forcës nga policët. Të arrestuar janë: M.J.(1986) nga Kragujevci, M.T. (1988) nga Vlasotinca, G.B (1982) nga Kragujevci, S.GJ(1987) nga Kragujevci dhe M.R(1987) nga Kragujevci, njofton Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›