E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMSH: Palët të vetëpërmbahen, kaosi sjell kaos

KMSH-ja vlerëson se ngjarja e djeshme nuk ishte e denjë dhe merituar për vendin tonë.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh keqardhjen e tij për jetët e humbura, si dhe për dhunën dhe kaosin e shfaqur dje në orët e pasdites në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. I bëjmë thirrje të gjithë popullit për vetëpërmbajtje dhe të mos bien pre e asnjë provokimi dashakeqës dhe urrejtjendjellës, që mund të bëhet shkak për përsëritjen e skenave të tilla, pasi si policët edhe protestuesit janë vëllezërit tanë dhe bijtë e këtij vendi”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Institucioni i myslimanëve shprehet gjithashtu se kaosi sjell kaos dhe dhuna sjellë dhunë, por në fund-sipas deklaratës- të gjithë humbasin nëse nuk respektojnë ligjin.

“Gjithashtu, inkurajojmë të gjithë faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në vend që të forcojnë urat e dialogut dhe mirëkuptimit si dhe të bëjnë përpjekjet maksimale për ruajtjen e stabilitetit dhe qetësisë publike, në të mirë të vendit dhe të shoqërisë. Sot, më tepër se për çdo gjë tjetër, shoqëria jonë ka nevojë për tolerancë, mirëkuptim dhe dialog të ndërsjellët, pasi këto janë komponentë shumë të rëndësishëm për demokracinë dhe paqen sociale; dhe janë streha jonë e vetme teksa ecim drejt të ardhmes tonë evropiane si një komb i tërë”, përfundon deklarata./S.Ll/Start/

                                                                                             2011-01-22 15:23
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›