E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMSH dorëzon dosjen për ngritjen e Universitetit Islam

Vendimi i marrë më 15 shtator të këtij viti nga kryesia e këtij komuniteti, pritet të konkretizohet me ngritjen e universitetit. 

KMSH ka ngarkuar një komision për hartimin e dosjes së aplikimit dhe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e Universitetit në Shqipëri.

Gjatë ditës së sotme është bërë e mundur dorëzimi i dosjeve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Kryetari i KMSH-së ka firmosur sot kërkesën zyrtare drejtuar Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj për licensimin e Universitetit që do të themelojë Komuniteti Mysliman. Universiteti plotëson kështu të gjithë ciklin e arsimit pas atij parauniversitar që ka filluar me rihapjen e medreseve në vitin 1991.

Pas një pune disa mujore nga komisioni, ata kanë dorëzuar sot zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të gjitha dosjet dhe dokumentet sipas Udhëzimeve përkatëse të Ministrisë për licensimin e arsimit privat, në këtë rast për hapjen e Universitetit, dosje këto të përbëra nga mijëra faqe.
Universiteti që do të hapet vitin e ardhshëm akademik 2011-2012 do të ketë dy fakultete, pesë departamente dhe tre qendra kërkimore dhe zhvillimore dhe pikërisht do të ketë një strukturë të tillë si më poshtë vijon:

 I. Fakulteti i Shkencave Sociale
1.    Dega e Shkencave Islame
2.    Dega e Shkencave të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun
3.    Dega e Drejtësisë (Juridikut)
•    - Qendra Kërkimore për Dialog Ndërfetar
II. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
1.    Dega e Gjuhë Letërsisë Angleze
2.    Dega e Gjuhë Letërsisë Turke
•    - Qendra Kërkimore për Gjuhë Letërsi Shqipe
•    - Qendra Kërkimore për Gjuhë Letërsi Arabe
•    

Pas propozimit të bërë nga ana e Komisionit të Arsimit, Kryesia e KMSH-së me vendim të posaçëm e ka emërtuar Universitetin me emrin “Bedër”.
Emërtimi i Universitetit me emrin “Bedër” ka patur shumë arsye, por ato më të rëndësishmet janë si më poshtë:
 1. Kuptimi terminologjik
•    Bedër do të thotë Hënë e plotë.
•    Në emërtimin e universitetit Bedër është përdorur në kuptimin si Hëna e plotë që ndriçon errësirën.
•    Bedër: si drita e dijes që ndriçon mendjet.
•    Si drita e besimit që ndriçon zemrat.
•    Si drita e edukimit që ndriçon shoqërinë.
2. Kuptimi historik
•    Bedër është një prej epiteteve dhe cilësive që është thirrur Profeti Muhamed (a.s.) në momentin e hyrjes në Medine, moment që do të hapte epokën e re duke u quajtur edhe si viti i parë i kalendarit Hënor Hixhri, sipas të cilit shënohen të gjitha festat dhe datat e veçanta në Islam.
•    Bedër është emërtim vendi ku kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme në historinë Islame gjatë jetës së Profetit Muhamed (a.s.).

                                                                                             2010-12-27 17:15
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›